19:04 / E Enjte, 18 Janar 2018 / indeksADMonline

Trump dhe kongresi amerikan nderojnë një mik të Kosovës

Senatori amerikan, Bob Dole, një mik i madh i Kosovës, që u shndërrua në zërin e popullit tonë që nga vitet e 90’a, u nderua dje me medaljen më të lartë për merita civile nga Kongresi Amerikan, në praninë edhe të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Zëvendës kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova është e bekuar me mbështetjen e tij që nga fillimi i viteve të 90’a kur e vizitoi Kosovën, duke u bërë një avokat i të drejtave të shqiptarëve dhe pavarësisë së Kosovës.

“Kemi qenë të bekuar për mbështetjen e tij që në fillim të viteve 90-ta kur e vizitoi Kosovën duke u bërë një avokat i të drejtave të shqiptarëve dhe pavarësisë së Kosovës. Një shenjë e miqësisë dhe lidhjeve të forta që kemi me SHBA-në”, ka shkruar Hoxhaj.

Hoxhaj e ka quajtur senatorin Dole një hero të gjallë të Amerikës, person frymëzues dhe një mik të vërtetë të Kosovës.