17:39 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Tuneli i Mitrovicës pa ndriçim, Ministria e Pal Lekajt borxhe KEDS-it

Ka dy ditë që tuneli i rinovuar para shtatë muajve në Mitrovicë, ka mbetur pa ndriçim elektrik. Vështirësia e qytetarëve dhe rreziku i tyre po shtohet, veçmas gjatë orëve të natës, kur shoferëve u duhet të kalojnë në të.

E, në dijeni rreth kësaj çështjeje është edhe vet komuna, derisa ata thonë se kjo nuk është përgjegjësi e tyre.

“Po jemi të njoftuar për ndriçimin e ndërprerë në tunel, arsyeja e ndërprerjes është mos pagesa e rrymës, që është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës”, ka thënë për Indeksonline, Naser Muja, drejtor për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë.

Por, ndryshe nga komuna, Ministria e Infrastrukturës, thotë se nuk ka dijeni për këtë rast dhe se qysh sot do të marrin masa për të parë problemin.

“Në vizitën e fundit, të punëtorëve kompetent nuk është raportuar një gjë të tillë, andaj sot menjëherë i kam urdhëruar të shkojnë në vend të ngjarjes, të shohin arsyen e një defekti të tillë iu njoftojë me kohë për çdo veprim të marrë në këtë drejtim”, i ka thënë Indeksonline, Avdyl Ymeri, drejtor i Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve.

Por, në një përgjigje për Indeksonline, Viktor Buzhala zëdhënës i KEDS-it, ka treguar se çkyqja e ndriçimit në tunelin e Mitrovicës ka ardhë si pasojë e mos kryerjes së borxhit nga Ministria e Infrastrukturës, i cili institucion nuk ka 6 fatura të papaguara.

“KESCO si furnizues publik dhe kompani e rregulluar nga ZRRE e ka për obligim që t’i trajtojë të gjithë konsumtorët në mënyrë të barabartë. Në vazhdën e saj, pagesa e energjisë elektrie të shpenzuar është kusht i domosdoshëm për kontinutitetin e furnizimit të secilit konsumator.

KESCO i ndjek në vazhdimësi të gjitha procedurat në mënyrë që konsumatori të mos mbetet pa shërbime.

Konsumatori në fjalë është shkyçur dje për borxh pasi ka 6 fatura të papaguara me një borxh që shkon në 1776  euro. Borxhi është në emër të Ndriçimit Publik”.

Ndryshe, tuneli i Mitrovicës, u përurua me 2 maj të këtij viti, pas rinovimit të tërësishëm nga MIT-ja, i cili investim ka kushtuar 380 mijë euro, derisa tuneli ka gjatë 250 metra./Indeksonline