Turq nga Stambolli bëjnë hulumtime klandestine tek varret e vjetra në jug të Kosovës
Një profesor nga Stambolli i Turqisë së bashku me dy shoqërues, këto ditë po bejnë hulumtime në varrezat e vjetra të fshatrave të treves së Gorës në jug të Kosovës. Ky hulumtim po bëhet për të satën herë në mënyrë klandestine dhe të pa autorizuar nga autoritetet përkatëse të Kosovës. Për këtë hulumtim të profesorëve nga Turqia nuk është njoftuar dhe nuk di askush as në Akademinë e Shkencave në Prishtinë, as në Institutin Albanologjik dhe as Institutin e Arkeologjisë ne Prishtinë.
Profesorët nga Turqia këto ditë kanë dalë ne terren dhe po hulumtojnë dhe deshifrojnë epitafet (mbishkrimet) e varrezave të trevës së Gorës. Një qytetar nga Dragashi që i ka shoqëruar profesorët nga Turqia, Tair Refkija Asimi, në Facebookun e tij ka publikuar një postim me fotografi ku shkruan:
” Gora 13.08.2018. Sot në hulumtim të “Nishanëve” të vjetra të mbishkrimëve mbivarrore në fshatrat tona, ndoshta kemi gjetur nishanin më të vjeter sipas kalendarit të Hixhrit, viti 1051 dhe viti 1067. Autenticitetin e ka vertetuar profesori nga Stambolli i Turqisë së bashku me dy shoqëruesit e tij me të cilët kam qenë edhe unë në terren. Me këtë material të mbledhur në Gore do të shkruhet libër. Nga disa dhjetëra fotografi, i kam veçuar këto dyjat”, ka shkruar qytetari Tair Refkija Asimi nga Dragashi, Kosova jugore.
Ndërsa kjo mënyrë klandestine e hulumtimit po konsiderohet e parregullt dhe se mund të rezultojë me shtrembërim të fakteve të historisë mesjetare të Kosovës. Nuk është hera e parë që kërkime të tilla klandestine janë bërë në zonën e Dragashit, nga “hulumtues” që kanë ardhur nga jashtë Kosovës.
Vite më parë hulumtues nga jashtë Kosovës në mënyrë ilegale dhe me aparate e detektor të monedhave metalike kanë gërmuar përreth mureve gërmadhë të kalasë së quajtur “Hisar” që gjendet në Trokon ku kufizohen fshatrat: Brrut, Billushë, Pllavë dhe Brezne, ku është hapur një gropë dhe janë kërkuar monedha e vegla metalike të lashta.
Poashtu janë kryer gërmime të paligjshme përreth varrit monumental në Gjermon të Zgatarit, përreth vendit të quajtur “Kisha” në Brrut të Opojes, tek “Guri i shpuar” brenda varreve të fshatit Brrut. Si dhe kohë më parë hulumtime ilegale nga hulumtues nga jashtë Kosovës janë bërë tek “Tyrbja e Pllavës” në fshatin Pllavë, historia e së cilës është publikuar në versione të ndryshme e të shtrëmbëruara në disa libra të publikuar viteve të fundit në Turqi.
Këto ditë në shënjestër të këtyre hulumtuesve të jashtëm dhe të paautorizuar janë vënë mbishkrimet mbivarrore në fshatrat e Gores/ Dragashit, që janë me alfabet të periudhes osmane./Indeksonline/