13:35 / E Martë, 19 Janar 2021 / B O

Turqia godet Twitter-in, ia ndal reklamat

Turqia ka goditur të martën platformat sociale, Twitter, Pinterest dhe Periscope me ndalesa reklamimi, pasi kanë dështuar të ndiqnin hapin e Facebookut për të emëruar një të dërguar lokal, të angazhuar për fshirje të postimeve të diskutueshme, bazuar në ligjin e ri kontravers.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut i konsiderojnë rregullat e reja si pjesë të tentimeve të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, për të kontrolluar mediat dhe për të shtypur kundërshtarët.

Mosrepektimi i ligjit të ri mund të rrezikojë të ardhmen e Twitterit në Turqi, vend të cilin kjo platformë sociale e konsideron midis tri vendeve kryesore në botë – bashkë me Kinën dhe Rusinë – që kërkon largimin e postimeve.

Rregullat e reja u kërkojnë rrjeteve sociale me më shumë se 1 milion përdorues brenda ditës, që të emërojnë një të dërguar për të fshirë përmbajtjen ofenduese brenda 48-orëve.

Zëvendësministri i Infrastrukturës në Turqi, Fatih Sayan, ka thënë se kompanitë që reklamojnë në këto tri platforma, do të gjobiten.

Ankaraja “është e vendosur të bëjë gjithçka për të mbrojtur të dhënat, privatësinë dhe të drejtat e njerëzve tanë”, ka thënë Sayani.

“Ne nuk do të lejojmë kurrë fashizmin digjital dhe shkeljen e ligjit që të dominojë Turqinë”, ka thënë ai.

Facebooku ka thënë të hënën se do të emërojë një të dërguar, mirëpo e ka theksuar “sa e rëndësishme është për platformën tonë të veprojë në vendet ku përdoruesit mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për liri të shprehjes”.