21:19 / E Shtunë, 14 Tetor 2017 / indeksADMonline

Turqia inatoset në Shqipërinë për lirimin e ‘terroristit’ turk

Ambasada e Turqisë e ka cilësuar skandaloz vendimin e Gjykatës së Durrësit e cila vendosi hetimin në gjendje të lirë për shtetasin turk, Mohamed Jasir Aidognuz, i cili akuzohet nga Ankaraja për pjesëmarrje në organizata terroriste.

Ambasada e Turqisë vlerëson se ky nuk është një shembull pozitiv i luftës kundër terrorizmit.

Ata theksojnë se Aidognuz dhe avokati i tij u munduan që ta politizojnë çështjen, duke vendosur në grackë gjykatësin, raporton “GazetaShqip”.

Tashmë sipas Ambasadës, një terrorist po lëviz i lirshëm me një pasaportë të falsifikuar duke përbërë rrezik edhe për sigurinë e vendit tonë.

Sipas Ankarasë zyrtare, “Mohamed Jasir Aidognuz është pjesë e organizatës terroriste FETO”.

Ky grupim, që sipas Turqisë drejtohet nga kleriku Fetullah Gulen, është organizatori i grushtit të dështuar të Shtetit që ndodhi në Turqi në datë 15 korrik të vitit që lamë pas.

Një ditë më parë, Gjykata e Durrësit liroi shtetasin turk, Muhammet Yasir Aydogmus, i cili u arrestua disa ditë më parë për llogari të autoriteteve turke. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për akuzën e terrorizmit. Seanca gjyqësore u zhvillua nën masa të larta sigurie. Forca të shumta policore të maskuara dhe veshura me antiplumb, siç mësohet me kërkesë të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, rrethuan Gjykatën e rrethit gjyqësor Durrës, ndërsa shqyrtohej masa e arrestit të përkohshëm të vendosur ndaj 39-vjeçarit, që rezulton të jetë dënuar për arsye politike, si pjesë e lëvizjes gyleniste në Turqi.

Pasi dëgjoi palët, gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestin, po rrëzoi kërkesën për ekstradim duke e lënë të lirë shtetasin turk. Burime nga kjo gjykatë thanë se dokumentet e sjella nga pala turke në cilësinë e provave për të realizuar ekstradimin e 39-vjeçarit, një person me tituj shkencorë në vendin e tij, kanë qenë të pavlefshme nga ana juridike.

Muhammet Yasir Aydogmus u vu në pranga në pikën kufitare të Durrësit, së bashku me gruan e tij 34-vjeçare dhe dy fëmijët. Ai tentoi të kalojë kufirin me dokumente false. Ndërkohë, Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg për këtë shtetas, por gjykata nuk e pa të arsyeshme për caktimin e kësaj mase. Ndaj këtij personi, një gjykate në Stamboll ka caktuar masën “arrest me burg” për “pjesëmarrje në organizate terroriste të armatosur”. Ai do të gjykohet në gjendje të lirë, ndërsa prokuroria kishte kërkuar arrest me burg që më pas të nisnin procedurat për ekstradimin drejt Turqisë.