14:28 / E Premte, 06 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

U kritikua Google, Apple bën po të njëjtën gjë

Telefoni më i mirë i Applet, iPhone 11 Pro gjurmon vendndodhjen e përdoruesve edhe kur nuk e kanë të aktivizuar zbuloi një hulumtues i sigurisë.

Brian Krebsi gjeti se telefoni grumbullon të dhënat e pozicionit të përdoruesit edhe kur funksioni i shpërndarjes së vendndodhjes është i fikur për çdo aplikacion individual.

Përdoruesit mund t’i shpëtojnë gjurmimit vetëm nëse i tërë sistemi nuk lejohet të ndajë vendndodhjen.

Apple tha se ky nuk është problem sigurie. Krebsi gjeti se përdoruesit edhe nëse çaktivizojnë tërësisht shërbimet e vendndodhjes nga Settings>Privacy>Location Services atëherë nuk gjurmohen por nëse zgjedhin për kontrolle individuale ata mund të gjurmohen.

Apple tha se kjo është një sjellje e pranueshme për iPhone 11 Pro. Sipas Krebsit telefoni kërkon informacion rreth vendndodhjes së përdoruesit edhe kur të gjitha aplikacionet janë përcaktuar individualisht të mos e kërkojnë kurrë këtë informacion.

Ai kontaktoi me Applen për të raportuar problemin duke ndarë me ta edhe një video. Një inxhinier i kompanisë tha se nuk sheh implikime të sigurisë në këtë rast. Më 2018 u zbulua se Google bënte po të njëjtën gjë edhe kur përdoruesit nuk dëshironin.

Në një raport për Associated Pressin, një hulumtues i universitetit të Princeton vërejti se Google kishte ruajtur markimet e tij të vendndodhjes edhe pse historiku i gjurmimit ishte çaktivizuar.

Për ta çaktivizuar plotësisht gjurmimin përdoruesit duhej të çaktivizonin një tjetër opsion të quajtur Web and App Activity.