12:08 / E Hënë, 09 Tetor 2023 / L K

U largua nga Kosova për t’iu bashkua Shqipërisë: Jam takuar me Sylvinhon dhe Dukën, më thanë se jam afër Kombëtares A

Mesfushori nga Kosova, Adrion Pajaziti, muaj më parë ishte në qendër të mediave për shkak se u largua nga Kosova U21 për t’iu bashkuar Shqipërisë U21.

Futbollisti që luan me Fulhamin U21 së fundmi ka zbuluar se është afër Kombëtares A në një intervistë për gazetën nga Shqipëria, “Sport Ekspres”.

“E kam takuar Sylvinhon, Zabaletën dhe presidentin e FSHF, Armand Duka. Ata kanë qenë në Londër para disa muajsh dhe më kanë thirrur mua dhe babain. Jemi takuar, kemi folur së bashku. Më kanë përgëzuar dhe më kanë thënë që vetëm të punojë pasi nuk jam larg kalimit te Kombëtarja A. Tani duhet që të fillojë të luajë në futbollin profesionist, jo te moshat dhe më pas do të vijë momenti im. E di që nuk do të jetë e vështirë që të luajë mirë te Shqipëria A pasi kur luan me lojtarët e nivelit të lartë është e thjeshtë, kemi lojtarë cilësorë, përshëmbull Asllani ishte në finalen e Champions League. Kur ke lojtarë të këtij kalibri ata dinë çdo detaj, të japin topin në këmbën e mirë dhe në kohën e duhur”, tha Pajaziti.

Ai me Shqipërinë U21 po shkëlqen teksa ka arritur dy fitore në dy ndeshjet e para me “kuqezinjët” ndaj Armenisë dhe Rumanisë.

“Kryesorja është që ne fituam kundër Rumanisë. Por të jem i sinqertë, nuk e kam parë fare se çfarë ndodhi me babain. Madje u çudita edhe që kisha hequr fanellën e Shqipërisë te momenti i golit, nuk jam ai tipi që heq fanellën. Por emocionet ishin aq të mëdha, fanellën e hoqa dhe pashë të gjithë lojtarët që hipën te mua të festonin. Pastaj kur ktheva kokën, shikoj babin që vjen të më përqafoj. Por nuk e pashë fare që u grind me stjuardët. Kur mora telefonin që mbaroi ndeshja, atëherë e pashë se çfarë kishte ndodhur, po më dërgonin videot e babait. Isha edhe krenar për babain, e përgëzoja dhe pak isha i turpëruar (qesh). Nuk e pashë dot as topin në rrjetë, kisha mbrojtësin përpara që ma kishte bllokuar gjithë pamjen. E kuptova që topi shkoi në gol vetëm kur pashë tifozët dhe shokët e ekipit që po vinin drejt meje”, shtoi Adrion Pajaziti.