15:58 / E Hënë, 26 Shkurt 2018 / indeksADMonline

UEFA refuzon përdorimin e VAR në Champions League

Presidenti UEFA-s Aleksander Ceferin ka deklaruar se sistemi VAR nuk do të përdoret në edicionin 2018-2019 të Champions League: “Është shumë konfuz”.

“Askush nuk e di ende me saktësi se si funksionon. Ka shumë konfuzion në dhënien e vendimeve”, deklaroi shefi i UEFA-s, duke i dhënë fund idesë që të përdorej në edicionin e ardhshëm të aktivitetit më të rëndësishëm për klube, Champions League. “Nuk jam aspak kundër, por duhet ti shpjegojmë njerëzve si përdoret. Duhet të shikojmë si do të shkojë në Kupën e Botës”, deklaroi Ceferin në Kongresin e UEFA-s, që po mbahet në Bratislavë.

“Mund të jetë një projekt shumë i mirë dhe i nevojshëm për futbollin, por nuk duhet të nxitohemi për të marrë vendime të tilla”, tha Ceferin.

Teknologjia video është testuar në kampionate të ndryshme të Evropës, mes të cilëve i pari ishte kampionati italian, ndërsa është pothuaj e sigurt që do të përdoret edhe në Rusi, për finalet e Botërorit. Vendimi në fakt për Kupën e Botës pritet të merret në 3 mars.