15:09 / E Martë, 31 Mars 2020 / indeksADMonline

“Uji i mrekullive” shpëton fshatin verior në Itali, ska asnjë të infektuar me koronavirus

Banorët e Montaldo Torinese, një fshat në rajonin verior të Piedmont, në Itali, nuk janë prekur nga koronavirusi. Disa prej tyre besojnë se po mbrohen nga “uji i mrekullive” që sipas një legjende, kuroi ushtarët e Napoleon Bonapartit nga pneumonia, shkruan The Guardian

Montaldo Torinese ndodhet 19km larg Torinos, kryeqytetit rajonal ku të paktën 3658 janë infektuar nga virusi. Në gjithë Piedmont, rajoni i katërt më i prekur, janë regjistruar 8206 raste.

Uji nga pusi i Montaldo Torinese, një fshat me 720 banorë, besohet të ketë shëruar ushtarët e Napoleon Bonapartit, në qershor të 1800-s, para një beteje në Marengo.

Sipas traditës, gjeneralët e Napoleonit kishin pneumoni,” tha Sergio Gaiotti, kryebashkiaku i Montaldo Torinese. “Falë ajrit të pastër dhe natyrës, por edhe falë këtij pusi, u shëruan. Gjatë asaj periudhe, uji i ka ndihmuar vërtet. Por sot, pusi është mbyllur dhe përdoret vetëm për të ujitur tokat. Nuk e pi dot.”

Napoleoni dhe ushtarët e tij e fituan betejën kundër forcave austriake në Marengo.

Montaldo Torinese ka popullsi të plakur, por gjithashtu strehon familje të reja, që udhëtojnë drejt Torinos për punë.

Gaiotti tha se koronavirusi nuk ka prekur askënd në fshat prej ajrit të pastër dhe stilit të shëndetshëm të jetesës. Gjithashtu, prej përpjekjeve nga ana e bashkisë për të paralajmëruar dhe edukuar qytetarët.

“Këtu s’ka industri, të gjithë janë artizanë,” tha ai. “Që në fillim, njoftova njerëzit, i udhëzova çfarë duhet të bëjnë për t’u ruajtur, si për shembull të lanin duart dhe të shmangin kontaktin me të tjerët. Ishim fshati i parë në rajon që shpërndamë maska për të gjitha familjet.”