“Ukraina t’i njoh pasaportat e Kosovës”
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se pret që Ukraina t’i njohë pasaportat e Kosovës deri në fund të vitit.
Këto parashikime, Pacolli i bëri gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për punë të Jashtme.
Aty, Pacolli tha po ashtu se Polonia po ndihet e ofenduar nga Kosova, pasi që, sipas tij, Prishtina zyrtare nuk ka dërguar asnjë falënderim për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Sipas Pacollit, Ministria e Punëve të Jashtme, po harxhon kohë dhe mund për njohje të reja dhe ruajtjen e atyre që i ka Kosova.
“Kosova është njohur nga 116 vende dhe këto shtrihen në të gjithë globin. Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Kosova nuk paraqet ndonjë forcë të madhe ekonomike. Njohjet mbesin një sfidë shumë e madhe. Nuk jam ndalur së vizituari shtetet në të gjitha kontinentet, sidomos ato që nuk e kanë njohur Kosovën”, theksoi Pacolli.