15:15 / E Premte, 03 Maj 2019 / indeksADMonline

United i ofron Sanchezit 13 milionë paund vetëm për tu larguar

U transferua te Manchester United me shumë bujë në një shkëmbim me Henrik Mkhitaryan në janar të 2018-ës, por në një sezon e gjysmë me Djajtë e Kuq, Alexis Sanchez ska treguar pothuajse asgjë nga repertori i tij, madje është kthyer në një fantazëm të futbollistit që ishte te Arsenali dhe Barcelona.

Forma e dobët e kilianit por edhe dëmtimet e shpeshta kanë bërë që drejtuesit e Manchester United të mendojnë largimin e tij, pasi paga që Alexis fiton në Old Trafford është vërtet e kripur, plot 26 milionë sterlina në sezon.

Sipas asaj që raporton prestigjozja britanike Daily Mail, Manchester United i ka ofruar sulmuesit amerikano-jugor zgjidhjen me konsensus të kontratës që i skadon pas 3 vitesh, duke i vendosur në pjatë 13 milionë paund vetëm e vetëm që Sanchez të gjejë një skuadër të re në merkato e verës.

Pra për ta larguar nga Old Trafford drejtuesit e Djajve të Kuq jo vetëm që janë të gatshëm të lënë të lirë Alexis-in me parameter zero por edhe të derdhin një shifër të majme në llogari të tij. Mbetet për t’u parë se cila do të jetë përgjigjia e Sanchez i cili kërkohet nga shumë klube në Europë por asnjë klub nuk është i gatshëm t’i japë Sanchez-it, pagën e çmendur që merr te United, prandaj kiliani duhet të mendohet mirë.