08:27 / E Enjte, 15 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Universiteti i Prishtinës luajti rol të rëndësishëm për shtet ndërtim

Sot do të mbahet ceremonia e 48-të vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Universiteti i Prishtinës u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969.

Myrvete Badivuku-Pantina prorektore në UP, tha se themelimi i Universitetit të Prishtinës, ishte ngjarje më rëndësi për shqiptarët.

“Themelimi i Universitetit të Prishtinës, ishte nevojë e kohës. Në vitin 1970 u arrit qëllimi për edukimin e të rinjve të Kosovës”, tha ajo sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK.

Sipas saj Universiteti i Prishtinës ishte vatër e dijes për shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës etj.

“Universiteti i Prishtinës është institucion shumë i përbërë. Ka shumë aktivitete në UP që janë të centralizume. Në po punojmë që të kemi më shumë decentralizim dhe t’i japim angazhim edhe njësive akademike”, tha ajo.

Badivuku-Pantina tha se po punohet që të rritet cilësi në UP. ‘Ne si menaxhment po punojmë që të rrisim cilësinë në UP. Kemi përpiluar strategjinë tre vjeçare”, theksoi ajo.

Ndryshe themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë , më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Ditë e Universitetit të Prishtinës. Në përbërje të Universitetit të Prishtinës të posathemeluar ishin këto fakultete me seli në Prishtinë: Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridiko-Ekonomik, Fakulteti Teknik dhe Fakulteti i Mjekësisë.