17:18 / E Martë, 19 Maj 2020 / indeksADMonline

Urdhëresa e re e Ministres Hajdari (nuk) premton rimbursimin e pagesave të qytetarëve për shërbime turistike

Përmes një urdhërese, Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka vendosur të mos rimbursojë pagesat paraprake të qytetarëve për shërbime turistike, ani pse të njejtit nuk kanë mundur të realizojnë ato për shkak të situatës së krijuar pandemike.

Urdhëresa u mundëson kompanive turistike që përmes kuponëve, tu mundësojnë qytetarëve që kanë parapaguar pushimet shtyerjen e tyre deri më 31 dhjetor 2021, ose edhe zëvendësimin e paketave të parapaguara turistike me paketa të cilësisë së njejtë, por jo edhe rimbursimin e plotë të pagesave.

Redaksia ka mësuar se urdhëresa që favorizon subjektet dhe kompanitë turistike erdhi si kërkesë nga një numër i tyre, ani pse disa sosh deklarojnë se do të bëjnë rimbursimin e plotë të pagesave të qytetarëve, në kohë të caktuar, edhe pse urdhëresa nuk parasheh një gjë të tillë.

Në pyetjet e redaksisë, përfaqësues të Ephesus Travel informojnë se do të respektojnë urdhëresën e re të Ministrisë për shtyerje të pushimeve të qytetarëve, por klientëve që tani më kanë paguar pushimet dhe nuk kanë realizuar ato, do tu ofrojë edhe mundësinë e rimbursimit të PLOTË të pagesave, gjë që nuk parashihet me urdhëresën e re.

‘Atyre që kanë paguar për këto shërbime, do t’u mundësojmë edhe rimbursimin e plotë të pagesave. Klientët rikthehen cdo vit me besim të plotë ndaj shërbimeve tona, dhe nuk është e drejtë që ne si kompani të mos u qëndrojmë besnik atyre, në momentin kur ata kanë më së shumti nevojë. Sidomos tani pas rrethanave të reja të rënduara ekonomike, të krijuara nga lufta kundër pandemisë’, theksojnë përfaqësues të Ephesus Travel përmes telefonit.

‘Turizmi duhet të jetë përvojë e bukur për udhëtarët dhe klientët tonë, dhe asesi jo e hidhur, dhe atë ende pa u realizuar. Ne si kompani nuk mund të veprojmë kundër vullnetit të një numri të konsiderueshëm udhëtarësh, që kërkojnë rimbursimin e plotë të pagesave’, shtojnë tutje përfaqësues të Ephesus Travel.

Një numër qytetarësh tani kanë bërë prenotimet dhe pagesat për pushimet verore tek agjencitë turistike. Disa nga këto prenotime as që nuk janë realizuar, kjo për shkak të rregullave të reja të lëvizjes, të caktuara me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së virusit COVID-19.

Ndërkohë, përgatitjet për sezonin e mbetur veror po vazhdojnë. Përfaqësues të kompanive theksojnë se janë në pritje të vendimit për hapje të kufijve, me qëllim të realizimit të një sezoni të suksesshëm veror.

‘Të gjitha parapërgatitjet i kemi përfunduar dhe jemi gati për sezonin veror. Jemi informuar nga bashkëpunëtorët tone në destinacionet verore turistike se edhe ata kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të filluar sezonin veror’, thonë përfaqësues të kompanisë Ephesus Travel.

Ata shtuan se janë në pritje të vendimit për hapje të kufijve, për të vazhduar shërbimet e aranzhimeve turistike për udhëtarët dhe turistët nga Kosova.