Urimi i Muratit për Ditën e Evropës, e quan Serbinë bastion të politikave fashiste
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka bërë një urim për Ditën e Evropës. Ai ka thënë se Serbia vazhdon të jetë bastion i politikave fashiste ndaj Kosovës, dhe shqiptarëve në përgjithësi, në ditën kur festohet fitorja ndaj fashizmit.
“Për Ditën e Evropës, Serbia vazhdon të sillen mënyrën më anti-evropiane, duke mos lejuar karateistët tanë të marrin pjesë në Kampionatin Evropian. Për Ditën e Fitores ndaj Fashizmit, Serbia vazhdon të jetë bastion i politikave fashiste ndaj Kosovës, dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Fashizmi i mposhtur më 9 maj të vitit 1945, viteve të fundit në formën e së djathtës ekstreme ka filluar të rizgjohet në Evropë e SHBA. Ndërsa në Serbi, bastion ky i fundit ku fashizmi në formën e tij millosheviqiane ishte në pushtet në fund të shekullit 20-të, fashizmi vazhdon të dëshmojë ndikimin e tij në politikat aktuale shtetërore.
Fashizmi ishte e keqja më e madhe e njerëzimit. Fitorja ndaj tij, nuk duhet të demobilizojë forcat demokratike. Evropa e ka brenda, ne e kemi tek dera e shtëpisë, në Serbi. Për të mirën e njerëzimit, fashizmit i duhen këputur rrënjët, në një përpjekje të përbashkët të të gjitha forcave demokratike e përparimtare në Evropë e botë. Urime Dita e Evropës, urime Dita e Fitores ndaj Fashizmit” shkruan Murati.