09:27 / E Diele, 01 Prill 2018 / indeksADMonline

Urimi i Presidentit Meta për Pashkët

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për Festën e Pashkëve.

Kreu i Shtetit theksoi se “kjo ditë e bekuar e Ringjalljes na kujton se e mira nuk do të shuhet” dhe bëri thirrje “për më shumë vëmendje dhe solidaritet ndaj shtresave në nevojë”.

Mesazhi i plotë i urimit të Presidentit Ilir Meta:

“Në këtë ditë të shenjtë, dua t’ju uroj besimtarëve katolikë dhe ungjillorë dhe të gjithë shqiptarëve, Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët!

Mbarësia, paqja, begatia dhe lumturia mbizotëroftë tek ne dhe familjet tona! Kjo Ditë e Bekuar e Ringjalljes, na kujton se e mira nuk do të shuhet, por do të jetë gjithnjë ngadhënjyese ndaj së keqes dhe drita do të triumfojë kurdoherë mbi errësirën.

Kjo festë na mbush të gjithëve me frymëzim për ripërtëritjen e besimit, shpresës, optimizmit, vlerësimit të sakrificës dhe përpjekjeve për një të nesërme më të mirë, duke punuar së bashku për këtë qëllim.

Le të reflektojmë të gjithë për më shumë vëmendje dhe solidaritet, ndaj shtresave më në nevojë të shoqërisë sonë.

Sot kemi nevojë të ruajmë e forcojmë më shumë vlerat dhe virtytet tona, jo vetëm në besimin e palëkundur në Zot, por edhe tek dashuria më e madhe për njëri-tjetrin.

Shqiptarët ngahera kanë gjetur aftësinë, forcën dhe kurajon për të jetuar e punuar në harmoni e mirëkuptim për një të ardhme më të sigurt dhe të lumtur të popullit tonë”./TCh/