22:36 / E Shtunë, 28 Prill 2018 / indeksADMonline

Ushtari më i mirë i FSK-së: Punova fort për këtë ëndërr, e ndjeja që do të jem kampion

Lorik Ramaj është zgjedhur si ushtari më i mirë i Forcave të Sigurisë së Kosovës për vitin 2018.

Ai në mes e 39 garuesve, ia doli të kaloj sfidat dhe të behët ushtari më i mirë.

Tetari Ramaj në një intervistë për Indeksonline ka thënë se stërvitjet për garën kanë qenë sfiduese. Por, Ramaj thotë se e ka ndjerë që do të bëhej kampion i vitit 2018 në institucionin më të besuar të Kosovës, FSK-në.

“Stërvitjet për këtë garë ishin shumë sfiduese ku kërkohej mund, sakrificë, djersë dhe gjak. Gjatë kohës kur duhet të punonim me intensitet sub – maksimal dhe maksimal më motivonte një thënie e legjendës së boksit Muhamed Ali ku thoshte: “E urreja çdo sekondë të stërvitjes sime, por nuk dorëzohesha sepse e dija se gjithë jetën time do të jetoj si një kampion” kjo ishte shtytja ime përpara, sepse e ndjeja që do të jem kampion për vitin 2018 në institucionin më të besuar të Kosovës FSK – në”, ka thënë Ramaj.

Ushtari më i mirë i FSK-së thotë se ky titull ishte një ëndërr për të cilën kishte punuar shumë. Ai thotë se në këtë garë duhej motivim, disiplinim, angazhim, vullnet e durim.

“Të jesh pjesëtari më i mirë i FSK – së është vërtetë një ëndërr e cila nuk duhet të ëndërrohet por duhet të zgjohesh dhe të punosh fortë për të. Në këtë garë nevojitet një motivim, disiplinë angazhim, vullnet, përkushtim dhe durim i madh. Kur flasim për një garë tashmë tradicionale dhe shumë konkurruese nevojitet përgatitje e lartë fizike, teknike, taktike, psikologjike, morale dhe teorike, pra duhet të jesh pothuajse i kompletuar në të gjitha aspektet e lartë cekura. Këtë e karakterizon fakti se këtë garë duhet ta fitosh dy herë, një here ne mendje e pastaj në praktikë, gjithashtu nevojiten informacione profesionale për programet stërvitore, ngarkesat e stërvitjes, pushimet por edhe ushqyeshmërinë, sepse këta janë faktorët që e determinojnë një përgatitje profesionale”, ka shtuar Ramaj.

Prej 39 garuesve, 17 prej tyre ishin nga ushtri të vendeve të ndryshme ndërkombëtare.

“Në këtë garë ishin pjesëmarrës 22 garues të FSK –së dhe 17 garues nga vende ushtri të ndryshme mike ndërkombëtare. Fillimisht vetëm të jesh pjesë e grupit garues është një sfidë në vete, sepse organizohen gara ndërmjet kompanive dhe zgjedhën 3 më të mirët nga batalioni, ku në fund do takohen për të konkurruar për tu bërë më i miri në FSK, ndërsa pjesëtarët ndërkombëtarë marrin pjesë në të gjitha disiplinat sikurse ne, vetëm se konkurrenca është në mes vete, pra zgjedhën tre pjesëtarët më të mirë ndërkombëtarë dhe tre pjesëtarët më të mirë në FSK” ka thënë Tetarë Lorik Ramaj për Indeksonline.

Për të qenë pjesë e kësaj gare, ushtarët duheshin të përgatiteshin shumë, duke filluar që nga përgatitja fizike deri të marshimi i shpejtë.

“Disiplinat që janë në këtë garë lidhen direkt me punët dhe detyrat e një ushtaraku në punën tonë rutinore, duke filluar nga përgatitja fizike, navigimi tokësorë, gjuajtjet me armë, testet me shkrim, grup të disciplinave ushtarake si dhe marshim i shpejtë me afro 20 kg peshë shtesë. Këto aftësi tashmë të përvetësuar gjithmonë jam munduar dhe do të mundohem ti shpërndajë me eprorët, kolegët dhe vartësit e mi”, ka përfunduar pjesëtari i FSK-së.

Në këtë garë me karakter ndërkombëtar, ushtari më i mirë është shpallur tetari Lorik Ramaj nga batalioni i tretë i brigadës së reagimit të shpejt në FSK, ndërsa vendin e parë për ushtarin më të mirë ndërkombëtar është shpallur Vladimir Haxhijaj nga Shqipëria./Indeksonline/