11:23 / E Hënë, 22 Prill 2019

Ushtria amerikane: Ne e ndihmuam kthimin e kosovarëve nga Siria

Në orët e vona të së premtes 110 qytetarë kosovarë janë kthyer nga Siria.

E për t’u kthyer në Kosovë, në ndihmë autoriteteve kosovare u doli dhe ushtria amerikane.

Edhe pse ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri nuk specifikoi se cili ishte roli që ShBA-të luajtën, tashmë bëhet e ditur se një aeroplan me flamurin e ShBA-së arriti në Aeroportin e Prishtinës, teksa operacioni në fjalë po kryhej.

Kur u pyetën për kthimin e luftëtarëve në Kosovë, zëdhënësi i ushtrisë amerikane Sean Robertson tha se pasuritë amerikane janë përdorur për të mbështetur këtë operacion të riatdhesimit, transmeton Indeksonline.

“Në asnjë moment ShBA-të, nuk e kanë marrë përgjegjësinë për të ndaluarit e dyshuar si luftëtarë të huaj terroristë”, ka thënë Robertson.

Ai nuk pranoi të jepte detaje shtesë për arsye të sigurisë.

Ndryshe në mesin e të kthyerve nga Siria, ishin 32 gra dhe 74 fëmijë, duke përfshirë edhe nëntë prej tyre pa prindër./Indeksonline/