12:17 / E Enjte, 11 Nëntor 2021 / AR

Vaksinat, Meta dekreton marrëveshjen me Pfizer

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekretuar aktin normativ të votuar në seancë plenare për marrëveshjen mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë Pfizer për vaksinat e Covid-19.

Kreu i Shtetit ka dekretuar gjithashtu edhe ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës për Bashkëprodhimin Kinematografik, si edhe ratifikimin e konventës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Izraelit për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat.

Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës:

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta, në zbatim të Kushtetutës, ka dekretuar me shpallje, ligjet si më poshtë:

–  Ligjin nr. 106/2021 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 30, datë 27.9.2021 “Për miratimin e disa ndryshimeve të nënshkruara në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr. 3, datë 18.1.2021, të Këshillit të Ministrave”.

–          Ligjin nr. 109/2021 “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës për Bashkëprodhimin Kinematografik (e rishikuar), Roterdam, 30.1.2017”.

–      Ligjin nr. 108/2021 “Për ratifikimin e konventës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së shtetit të Izraelit për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat”.