23:33 / E Enjte, 28 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

“VAR-i” në Kupën e Botës? Flet legjenda e bilbilit Pierluigi Collina

Teknologjia e re që u ka mundësuar arbitrave të ndeshjeve që gabojnë më pak është gati të zbarkojë edhe në kompeticionin ndërkombëtar më të rëndësishëm që do të startojë vitin e ardhshëm në Rusi që në muajin qershor.

FIFA do të vendosë në mars nëse do të aplikojë ose jo VAR (Video Asistentin e Arbitrit). Lajmin e ka konfirmuar përgjegjësi i Komisionit të Arbitrave të Federatës Botërore, pikërisht legjendari i bilbilit, Pierluigi Collina.

“Është ende herët për ta thënë, por një vendim përfundimtar do të merret në mars. VAR është ende në një fazë eksperimentale, vendimi nisi në mars të vitit 2016 dhe duhet të zgjasë të paktën dy vite nga fillimi. Në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të IFAB, në mars, do të vlerësojmë rezultatet dhe do të vendosim nëse duhet konfirmuar menjëherë, nëse duhet zgjatur periudha e eksperimentimit, apo nëse duhet braktisur fare projekti, nëse do të vlerësohet negativisht. VAR nuk jep një përgjigje përfundimtare, ofron një zgjidhje për gabimet e rënda që një arbitër mund të bëjë, por duhet të jetë e qartë, futbolli nuk është një lojë perfekte”, deklaroi Collina./IndeksOnline/