Vrasja në Dragash, neuropsikiatri: 5 therje me thikë janë pasojë e një mllefi të grumbulluar
Neuropsikiatri Sami Rexhepi ka komentuar vrasjen e ndodhur në Dragash, duke vlerësuar se sulmi me disa goditje me thikë është tregues i një mllefi të grumbulluar për një periudhë të gjatë.
Sipas Rexhepit, raste të tilla janë pasojë e humbjes së vlerave etike dhe morale në shoqëri, por edhe e mungesës së një sistemi efikas të drejtësisë dhe mekanizmave për parandalimin e konflikteve, raporton Klankosova.tv.
“Pesë therje me thikë janë pasojë e një mllefi i cili është grumbulluar për një kohë më të gjatë. Duhet të pyesim veten se kah po shkon shoqëria jonë. I kemi humbur sistemin e vlerave etike e morale dhe shumë vlera të tjera”, u shpreh ai në emisionin “Kosova today” në Klan Kosova.
Ai theksoi se institucionet duhet të jenë më efikase në trajtimin e rasteve të raportuara, duke shtuar se vonesat në drejtësi ndikojnë që qytetarët të humbin besimin dhe të hezitojnë t’i drejtohen autoriteteve.
“Shumë shpesh flasim vetëm pasi ndodhin tragjeditë, kur ato kanë mundur të parandalohen. Njerëzit hezitojnë t’i paraqesin rastet sepse e dinë se procedurat zgjasin me muaj apo vite. Ata nuk e kanë atë durim”.
Në fund, ai ngriti alarmin për nivelin e dhunës në shoqëri, duke thënë se konfliktet po përshkallëzohen për arsye të vogla.
“Ne jemi në gjendje edhe për një parking me u vra, kjo është shumë alarmante”.

