17:34 / E Enjte, 25 Nëntor 2021 / OSH

Vdekja e 4 turistëve rusë/ Pas më shumë se një muaji hetime për ‘vrasje’, Prokuroria asnjë të dyshuar

Vdekja e 4 turistëve në Kavajë është cilësuar si vrasje nga organi i akuzës, por pavarësisht kësaj kur kanë kaluar më shumë se një muaj, Prokuroria e Kavajës nuk ka asnjë person të shpallur në kërkim. Vdekja e tyre vijon që të mbetet mister, ndërkohë që hetimet për zbulimin e shkaqeve që çuan në humbjen e jetës së tyre po vijojnë ende. 

“Kavajë, 25 nëntor 2021. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, ka regjistruar procedimin penal Nr. 448/2021, parashikuar në Nenin 79 “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” të Kodit Penal, për ngjarjen e ndodhur datë 15.10. 2021, me pasojë vdekjen e 4 shtetasve rusë në mjediset e SPA të hotel “Gloria Palace”. Në përgjigje të interesimit të medias informojmë opinionin publik se deri në këtë fazë të hetimit në dinamikë janë administruar një sërë aktesh e provash në funksion të çështjes të cilat janë në verifikim nga ana e prokurorisë. Janë marrë gjithashtu deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale. Të gjitha këto prova po vlerësohen në raport me njëra-tjetrën për të përcaktuar dhe ecurinë e mëtejshme të hetimit. Duke kërkuar mirëkuptimin e medias dhe opinionit publik në ruajtjen e sekretit hetimor, sigurojmë angazhimin maksimal të prokurorisë në përfundimin e hetimeve në një kohë sa më shpejtë”, thuhet në njoftim.

Si ndodhi ngjarja?
Më 15 tetor u gjetën 4 rusë të vdekur në hotel ‘Gloria’ në Kavajë. Trupat e tyre janë tërhequr nga djali i familjes nga morgu i Tiranës. Ka qenë djali i familje, Aleksandër Burenkov, i cili ka tërhequr trupat e prindërve të tij Nataliia Burenkova, 58 vjeçe dhe Sergei Burenkova, 60 vjeç, si dhe të motrës Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dhe partnerit të saj Nikita Belousov, 37 vjeç. Familja u gjend në Shqipëri pas një turi në të gjithë botën, në vendet me të synuara nga turistët, çka e kanë ilustruar me shkrepjen e fotove dhe reklamimin e tyre në rrjetet sociale. Në hotelin “Gloria” në Qerret, familjarët erdhën nga Ohri, dhe dita e parë e tyre në vendin tonë, u kthye në tragjedi. Kishin revervuar dhe kishin kërkuar t’i bënin gati pishinën dimorore, që stafi i hotelit e hapi brenda ditës duke përdorur klor për ujin e pishinës. Ishte po stafi që i gjeti të gjithë të pajetë, një me këmbët në ujë, dy prej tyre në shezlong dhe tjetrin mes pishinës dhe saunës, pa mundur të konsumojnë as ushqimin dhe pijet që kishin porositur. Aleksandri, i cili tashmë ka mbetur i vetëm, përfaqësues i një kompanie medicinale, erdhi në Shqipëri për të tërhequr trupat e pajetë të familjarëve. Vajza, Ekaterina, ishte menaxhere pronash në një agjenci imobiliare, ndërsa mediat ruse pak detaje japin për kryefamiljarin, i cili nga disa media shqiptare u përfol të ishte ish-gjeneral, ndërsa për bashkëshorten e tij thuhet se ishte mësuese.

Hetimet
Pas vdekjes së rusëve që policia fillimisht tha se u asfiksuan brenda saunës, u përfol për përdorim të lëndëve narkotike dhe alkolit, apo edhe helmimit me agjentë biologjikë, humbja e familjes që erdhën të pushojnë në Shqipëri, është ende një ekuacion i pazbërthyer, në pritje të shkakut zyrtar të vdekjes që mund të nxjerrin ekspertët mjeko-ligjore.