22:43 / E Hënë, 13 Korrik 2020 / indeksADMonline

Vdes karikaturisti i njohur nga Prizreni, Ramadan Zaplluzha-Therrë Murrizi

Sot në moshën 82-vjeçare është ndarë nga jeta veterani i arsimit dhe artisti i mirënjohur prizrenas, Ramadan Zaplluzha, i njohur si “Therrë Murrizi”.

Familjarë dhe miq të artistit kanë shprehur dhembje, respekt dhe ngushëllimet nëpër rrjete sociale, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.

Zaplluzha u lind më 1938 në Prizren. Pas mbarimit të Shkollës  Normale në Prishtinë, u kthye për të kontribuar në arsimin shqip, fillimisht në Rahovec,  Malishevë dhe në Prizren.

Fushëveprimtaria e artistit dhe pedagogut Zaplluzha është e madhe, mbi 60 vjet krijimtari në vizatim, karikaturë dhe strip.

Breza të shumtë janë rritur me karikaturat e Therrë Murrizit,  pasi që në vitin 1945 kishte botuar karikaturat e para në ‘’Zani i Rinis’’, për të vazhduar me mbi 80 gazeta brenda dhe jashtë vendit.

Ai e kultivoi stripin me pasion të madh, duke botuar mbi 50 tituj,  në këtë fushë që vlerësohet si proces grafik më i vështiri .

Therrë Murrizi ka ilustruar shumë libra për fëmijë dhe të rritur, ndër to: ‘’Arbëri nuk vdes kurrë’’, ’’Trimi i Skendërbeut’’, ’’Vëzhgimi‘’, ’’Arrestimi’’, ’’Operacioni’’etj, përcjell  “Gazeta e Prizrenit”.

Ai ka disa ekspozita personale dhe shumë kolektive, brenda dhe jashtë Kosovës, duke na ofruar mbi 3000 punime grafike dhe një thesar me novela të ilustruara, si ‘’Borëbardha, ’’Betmeni’’, ’’Spiderman’’, ’’Hirushja’’ etj.

Frymëzimet e tij për artet pamore mbeten në temat e përditshme, ato historike, luftat, konfliktet, liderët botëror, legjenda, personazhe për fëmijë etj.

Sipas përfaqësuesve të “Lirisë” në Prizren, logoja e fundit e klubit e është dizajnuar nga duart e arta të  Zaplluzhës,  në vitin 1990.

Që nga themelimi i saj, në vitin 1997 ishte anëtar i redaksisë për fëmijë me seli në Prizren “Fidani”.

Vdekja e Zaplluzhës – Therrë Murrizit është një humbje për artin shqiptar e më gjerë.

Varrimi bëhet nesër në orën 13:00, në varrezat e Prizrenit.