09:07 / E Premte, 16 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Vdes njëri nga të plagosurit mbrëmë në Podujevë, tjetri në gjendje të rëndë

I plagosuri mbrëmë nga të shtënat me armë në Podujevë ka ndërruar jetë në QKUK.

Vdekjen e tij për Indeksonline e ka konfirmuar zëdhënësi për media në QKUK, Shpend Fazliu.

“Njëri ka vdekur, ndërsa tjetri është në gjendje të rëndë në intensiv”, ka thënë shkurt ai për redaksinë.

Ndërsa, përmes një komunikate për media, Policia ka dhënë detaje lidhur me moshën dhe inicialet e të plagosurve.

“Mbrëmë rreth orës 22:00, policia ka marrë informacionin se në fshatin Surkish të Podujevës, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me plagosje ku nga arma e zjarrit, janë plagosur viktimat: A. S , 30 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar, dhe E. S, 23 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar , të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, mirëpo njëri nga viktimat (A.S), nuk ka mundur t’i përballojë, plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit dhe rreth orës 01:00, nga QKUK-ja jemi njoftuar se viktima ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Aktualisht hetuesit policor, janë duke ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të identifikuar personat e dyshuar si dhe për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili është cilësuar si ‘Vrasje e rëndë’./Indeksonline/