13:14 / E Mërkurë, 31 Janar 2018 / indeksADMonline

Veliu: Dëshmorët u kthyen aty nga ku nisën aksionin (Video)

Kryetari i Podujevës, Agim Veliu ka thënë me rastin e zbulimit të shtatorëve të tre dëshmorëve se dy vite pas rënies së tyre, të skalitur në shtatore u kthyen aty nga ku nisën aksionin.

“Sot ata janë më të mëdhenj dhe më madhështorë se kurrë në mesin tonë në qendër të qytetit të Podujevës. Bashkë në kuvend propozuam që kjo hapësirë të emërohet sheshi i Dëshmorëve dhe të vendosen shtatoret e tyre. Pas pak ditësh do të vije edhe shtatorja e Ali Ajetit që do të vendoset me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Veliu, raporton Indeksonline.

Sipas tij, sot dëshmorët kujtohen me ndjenjën e krenarisë dhe ua kujtojnë lirinë që po e gëzojnë qytetarët.

“sot përkujtojmë gjithë ato gra e burra që ranë në mënyrë që pasardhësit sot të gëzojnë lirinë dhe pavarësinë. Shtatoret e vendosura sot duhet të na shërbejnë si udhërrëfyes për të ardhmen tonë. Heronjtë me veprën e tyre na frymëzojnë të duam atdheun tonë. Sot kur jemi të lirë e të pavarur, Kosova nuk ka nevojë të vdesim për të siç bënë këta heronjë. Rënia në altarin e lirisë është sakrifica më e madhe që mund të bëj një njeri”, ka theksuar Veliu.

Ai ka shtuar se këto shtatore do të shërbejnë si përkujtues që sa herë të ndjehen të dobët të gjejnë forcë, siguri dhe frymëzim nga veprat e heronjve.