14:59 / E Premte, 15 Janar 2021 / OSH

Vëllau i Jakup Krasniqit kandidat për deputet nga Nisma

Abdyl Krasniqi, vëlla i kryetarit të Këshillit Kombëtar të NISMËS Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, do të kandidojë për deputet më 14 shkurt nga radhët e Nisma-s, shkruan IndeksOnline.

Kështu ka bërë të ditur i pari i kësaj partie, Fatmir Limaj.

Ai tha se Jakup Krasniqi aq sa i mungon familjes, po aq sa edhe skenës politike dhe publicistike të Kosovës.

Kurse për kandidatin për deputet, Abdyl Krasniqi tha se “angazhimi i tij në vijë të parë të luftës sonë politike është një mesazh i qartë se do t’i mobilizojmë të gjitha energjitë tona atdhetare dhe profesionale me qëllim që fryma atdhetare që ka mbjell Jakup Krasniqi të dalë sa më e fuqishme në këto zgjedhje!”.

Postimi i plotë:

Arrestimi i paradokohshëm i kryetarit të Këshillit Kombëtar të NISMËS Socialdemokrate, z. Jakup Krasniqi ishte një goditje e madhe jo vetëm për partinë tonë, por për tërë kombin shqiptar.

Ai i mungon familjes, po aq sa edhe skenës politike dhe publicistike të Kosovës. Megjithatë, vizioni i tij politik, i mishëruar në NISMËN Socialdemokrate, jeton thellësisht në zemrat tona.

Sot kur jemi në prag të përgatitjeve për zgjedhjet e 14 shkurtit, strukturat tona janë mobilizuar si asnjëherë më parë që ky vizion të dalë sa më i fortë.

Më lejoni t’ju njoftoj se në këto zgjedhje, në listën e kandidatëve për deputet të NISMËS Socialdemokrate është Abdyl Krasniqi, vëlla i Jakup Krasniqit dhe bashkëveprimtar i palodhur në rrugëtimin e deritashëm.

Angazhimi i tij në vijë të parë të luftës sonë politike është një mesazh i qartë se do t’i mobilizojmë të gjitha energjitë tona atdhetare dhe profesionale me qëllim që fryma atdhetare që ka mbjellë Jakup Krasniqi të dalë sa më e fuqishme në këto zgjedhje!

Mbështetja që sot i jepet NISMËS Socialdemokrate është mbështetje për frymën e liderit të saj që padrejtësisht mbahet në Hagë!