11:34 / E Martë, 18 Qershor 2019 / indeksADMonline

Vëllaznimi: Jemi të befasuar me Prishtinën që flet me futbollistin që ka kontratë valide me ne

Ndonëse Prishtina ende nuk e ka zyrtarizuar transferimin e Tun Bardhokut, mediat kosovare gjatë ditës së hënë raportuan se ai është përforcimi i fundit i ‘bardhë e kaltërve’.

Megjithatë Vëllaznimi ka përgënjeshtruar këto zëra duke bërë të ditur që Bardhoku ka kontratë valide me gjakovarët.

Tutje ata janë shprehur të befasuar me zyrtarët e Prishtinës të cilët e kanë kontaktuar Bardhokun duke qenë në dijeni se ai është nën marrëdhenje kontraktuale. Ndryshe, mbrojtësi gjakovar të hënën ka njoftuar në faqen e tij në facebook se nuk është më futbollist i Vëllaznimit.

Ky është reagimi i ekipit gjakovar:

SQARIM

Informata që dje u plasua në portale se futbollisti ynë Tun Bardhoku, ka kaluar tek radhët e Klubit të Futbollit “Prishtina” na ka befasuar. Kjo për faktin se futbollisti Bardhoku ka kontratë valide me Klubin tonë. Është e vërtet që Tun Bardhoku ka biseduar me kryetarin e klubit Agim Cana, dhe nga i njejti e ka marrë premtimin preliminar se nuk do të pengohet nëse i jepet rasti që të angazhohet në ndonjë klub jashtë Kosovës, gjë që e ka kërkuar edhe vetë futbollisti.

Jemi të befasuar edhe me sjelljen e zyrtarëve të klubit Prishtina, të cilët, edhe pse e kanë ditur që Bardhoku ka kontratë me Vëllaznimin, kanë vënë kontakt me futbollistin pa e paralajmëruar fare klubin tonë, që paraqet shkelje të dispozitave të Rregullores për Transferin dhe Regjistrimin e Lojtarëve të FFK-së.