16:24 / E Martë, 23 Tetor 2018 / indeksADMonline

Vendimet e Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e sotme

Qeveria e Republikës së Kosovës është informuar për përgatitjet që janë kryer deri tani për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të Qeverive të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë që do të zhvillohet me 26 nëntor në Pejë. Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka njoftuar për përgatitjet e bëra deri tani në identifikimin e temave dhe të marrëveshjeve të mundshme që do të mund të nënshkruheshin gjatë këtij takimi të përbashkët.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar është informuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për realizimin e urdhrit operativ “Stop drogës në shkolla”.

Në zbatim të  Urdhrit Operativ “Stop drogave në shkolla“ Policia e Kosovës në periudhën kohore prej 02.10.2017 deri 30 Shtator 2018 ka realizuar aktivitetet e saj si në fushën e parandalimit po ashtu edhe në fushën e luftimit. Në fushën e parandalimit janë bërë vizita dhe kontakte me personelin e shkollës, patrullime rreth shkollave, janë mbajtur ligjërata për nxënës dhe takime me prindër në shkolla fillore dhe të mesme dhe janë shpërndarë fletushka/broshura sensibilizuese kundër drogave.

Ndërsa, në fushën e luftimit, janë kontrolluar persona të cilët kanë frekuentuar në zonën e sigurisë 350 metra rreth shkollave, janë kontrolluar vetura, lokale dhe vende tjera të dyshuara. Kjo mënyrë e realizimit të Planit padyshim ka rezultuar me sukses duke dhëne rezultate konkrete.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar në mënyrë eksplicite që të gjithë akterët e mbrojtjes së rendit dhe të sigurisë të ashpërsojnë masat dhe veprimet në parandalimin dhe luftimin e përdorimit të drogave afër shkollave tona.

Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar kërkesën për mjete financiare për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në komunën e Mamushës. Ministria e Financave ka rekomanduar që në mbledhjen e ardhshme të sjellë vendimin për mundësitë e kompensimit të dëmeve dhe atyre për sigurimin e mjeteve.

Katër dhjetëmijë (40.000) euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës për të përmbushur kontributin vjetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2018 në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, me seli në Sarajevë.

Qeveria ka aprovuar Draft-Strategjinë Shtetërore Kundër Korrupsionit dhe Planin e Veprimit Kundër Korrupsionit 2018-2022. Strategjia është ndarë në katër sektor: sektorin politik publik; administrata publike; zbatimi i ligjit dhe gjyqësori; dhe prokurimi publik dhe menaxhimi i financave publike.

Zhvillimi i qasjes “zero tolerancë” ndaj korrupsionit vazhdon të jetë objektiv kryesor i strategjisë, ndërkaq parimet tjera të përgjithshme të strategjisë janë: Ndërtimi i integritetit, përgjegjësisë dhe transparencës në punën e organeve të administratës publike dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike; Përmirësimi i legjislacionit  dhe fuqizimi i kapaciteteve institucionale për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut në fushën e luftimit të korrupsionit.

Qeveria e Kosovës ka ndarë dyqind mijë (200.000) euro në bazë të kërkesës së Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit dhe agjencive të OKB-së në Kosovë. Mjetet e ndara do të shfrytëzohen për verifikimin dhe publikimin e indikatorëve kryesorë të qeverisjes për vitin 2018 dhe përgatitjet për kalim në programin Kompakt.

Është miratuar edhe Rregullorja për procedurat dhe format e njoftimit për ndihmën shtetërore. Rregullorja përcakton kriteret, formën dhe përmbajtjen e njoftimit në përputhje me të cilat dhënësi i ndihmës shtetërore njofton për planet e dhënies së ndihmës shtetërore. Me këtë akt rregullohen dhe planet për dhënien e ndihmës së re ose ndryshimet e një ndihme ekzistuese.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimet për shpronësimet për interes publik dhe për marrjen e përgjegjësisë nga ana e Qeverisë së Kosovës për kryerjen e pagesës së shumës totale të vlerës së shpronësimit dhe kërkesave eventuale të kreditorëve për objektet e ish-Ndërmarrjes Shoqërore “Gërmia”; Objekti Afarist përdhese, ish-Barnatorja e Qytetit; Ndërtesa e ish-Ndërmarrjes Shoqërore “Rilindja”; dhe ndërtesës së ish-“Banka Themelore e Bankës së Lubjanës”. Objektet e shpronësuara janë në shfrytëzim për nevoja të akomodimit dhe punës së institucioneve shtetërore dhe publike të Republikës së Kosovës.

Me propozimi të Ministrisë së Infrastrukturës, Qeveria ka themeluar Këshillin e Sigurisë së Trafikut Rrugor, në përbërje:

–          Ministri i Infrastrukturës – kryesues;

–          Ministri i Punëve të Brendshme – anëtar;

–          Ministri i Drejtësisë – anëtar;

–          Ministri i Shëndetësisë – anëtar;

–          Drejtori i Përgjithshëm i Policisë – anëtar;

–          Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – anëtar;

–          Kryesuesi i Asociacionit të Komunave – anëtar; dhe

–          Një përfaqësues i Zyrës së Kryeministrit – anëtar.

Këshilli do të kujdeset për zhvillimin dhe implementimin e politikave dhe masave në fushën e sigurisë rrugore; ngritjen e vetëdijes publike për çështjet e sigurisë rrugore përmes organizimit të fushatave promovuese; koordinimin e punëve të të gjitha institucioneve të cilat janë të përfshira në sigurinë e trafikut rrugor; dhe koordinimin e punës me të gjitha subjektet për promovimin e sigurisë së trafikut rrugor.

Me propozimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Komunës së Vushtrrisë për tërheqje nga procesi i privatizimit dhe kthim në pronësi të komunës disa nga pronat që aktualisht gjinden në administrimin e Agjencisë Kosovare për Privatizim. Këto prona do të përdoren për realizimin e interesit publik në komunën e Vushtrrisë.

Edhe vendimi për shpronësimin e pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i ndërtimit të autostradës “Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”, është miratuar në mbledhjen e sotme. Pronat që do t’i nënshtrohen shpronësimit gjinden në zonat e kadastrave Banullë, Sllovi dhe Smallushë të komunës së Lipjanit; zonat e kadastrave të Parllovës në komunën e Novobërdës dhe zonat e kadastrave të Bresalcit, Poneshit dhe Zhegovcit të komunës së Gjilanit.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Raportin nëntëmujor financiar të Buxhetit për vitin 2018, i cili do të dorëzohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Raporti përmban përmbledhjen e trendëve kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore përgjatë periudhës nëntëmujore të viti 2018. Në këtë periudhë, të hyrat buxhetore kanë arritur vlerën 1,315 milionë euro, duke shënuar rritjen prej 6 për qind, ose për 69 milionë më shumë, krahasuar me nëntëmujorin e vitit paraprak. Kjo shumë e të hyrave paraqet 71 për qind të planit vjetor të parashikuar, ndërsa rritja ka ndodhë kryesisht nga rritja e të hyrave të rregullta tatimore. Trendi dëshmonë rrjedhën e performancës pozitive të biznesit privat dhe është dëshmi për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në vendin tonë.

Shpenzimet buxhetore të kësaj periudhe  kanë arritur vlerën  prej 1,311 milionë dhe ka shënuar rritjen prej 10 për qind, apo 120 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e viti të kaluar. Ekzekutimi i shpenzimeve buxhetore gjatë këtij nëntëmujori korrespondon me 62 për qind të planifikimeve. Rritja është shënuar sidomos me ekzekutimin e lartë të mjeteve në investimet kapitale në 6 për qind dhe të shpenzimeve rrjedhëse në 11 për qind.

Në parim ka marr aprovimin edhe nisma për lidhjen e “Marrëveshjes për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare” në mes të Republikës së Kosovës dhe Panamasë.

Ministrja e Integrimeve Evropian ka njoftuar kabinetin qeveritar me rishikimin e prioriteteve të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA); rishikimin e Programit Kombëtar për Zbatimin me Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit; dhe përgatitjen e kontributit të parë të institucioneve të Republikës së Kosovës për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2019.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka informuar kabinetin me gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm për çështjen e pagesës së pensioneve të dyfishta, në mënyrë antiligjore. Ai ka kërkuar mbështetjen e kabinetit qeveritar për të ndërprerë praktikat e deritashme të përfitimit të dy e më shumë pensioneve nga skemat pensionale të Republikës së Kosovës.