16:08 / E Mërkurë, 05 Qershor 2019 / indeksADMonline

Vendimi befasues i FBK-së për të refuzuar palestrën e Rahovecit, kryetari zbulon e-mailin njoftues

Federata e Basketbollit të Kosovës ka marrë një vendim befasues dhe jo aq të arsyeshëm duke e ndryshuar vendimin që ndeshjet mos të zhvillohen në palestrën e re të Rahovecit.

FBK ka vendosur që më 7 dhe 14 Gusht Kosova ndaj Britanisë së Madhe dhe Luksemburgut të luaj në “Minatori” të Mitrovicës.

I pakënaqur dhe i zhgënjyer me këtë vendim ka qenë edhe i pari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Ai ka publikuar njoftimin që i është bërë nga sekretarja e FBK-së, Elvira Dushku.

“Të dashur bashkëqytetarë, me shqetësim, para disa ditësh mora lajmin se Federata e Basketbollit të Kosovës ka anuluar organizimin e ndeshjeve të përfaqësueses së Kosovës në basketboll ndaj Anglisë dhe Luksemburgut në Rahovec!

Si Komunë, disa herë kemi shprehur gatishmëri pranë FBK-së për asistencë dhe ndihmë me të gjitha kapacitetet për këtë organizim, andaj jam befasuar nga komunikata e 3 qershorit, ku nuk specifikoheshin arsyet e anulimit!

Sot, kemi pranuar një e-mail zyrtar nga Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, znj. Elvira Dushku, e cila ka konfirmuar se ndryshimi i lokacionit të organizimit nga Rahoveci në Mitrovicë ka të bëjë me ngjarjet e ndodhura në ndeshjen e KB Rahovecit ndaj KB Prishtinës.

Përderisa jam thellësisht i zhgënjyer me këtë vendim dhe vlerësoj se veprimet e disa individëve nuk duhet të ndikojnë e as hedhin poshtë organizimin dhe pritjen madhështore nga mijëra tifozë vendas, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Rahovecit, në cilindo sport, që në të ardhmen të kenë kujdes dhe të mos bëjnë veprime të pahijshme që do të mund të na dëmtonin si në këtë rast.

Për më shumë, po e publikoj më poshtë njoftimin e znj. Dushku, pa ndërhyrje.
—-

Nëpërmjet këtij emaili ju njoftoj se Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 30.05.2019 në Prishtinë ka marr vendim që Përfaqësuesja A e Kosovës ndeshjet e fazës së tretë të parakualifikimeve për Eurobasket 2021 ti zhvillojë në Mitrovicë.

Bordi i FBK-së e ka anuluar vendimin e datës 25 Prill 2019 që ndeshjet të luhen në Rahovec dhe kështu ka vendosur që më 7 dhe 14 Gusht Kosova ndaj Britanisë së Madhe dhe Luksemburgut të luaj në “Minatori”.

Arsyeje e anulimit të vendimit të datës 25 Prill kanë qenë ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec në ndeshjen e pestë (të fundit) finale të play-offit në Superligën e Kosovës ndërmjet KB Rahovecit dhe KB Z Mobile Prishtinës, për të cilat ngjarje tashmë ju jeni në dijeni, së bashku edhe me dënimet konform Propozicioneve të Garave për KB Rahovecin dhe për terrenin e tyre.

Ne shpresojmë se në të ardhmen FBK, Komuna e Rahovecit dhe KB Rahoveci do të mund të organizojnë ngjarje të tilla të mëdha, por gjithnjë në frymë sportive” ka thënë Latifi në njoftim./Indeksonline/