10:32 / E Enjte, 24 Nëntor 2022 / k.v

Vendimi i KGjK-së/ Anulohen seancat e parapara gjyqësore

Pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), që puna e gjykatave të reduktohet dhe të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale, në Pallatin e Drejtësisë po anulohen pothuajse të gjitha seancat e parapara për sot.

Deri më tani është anuluar seanca në rastin e njohur si “Stenta 2”, seanca në rastin ku ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe tre të tjerët Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, seanca në Gjykatën e Apelit, ndaj ish-zyrtarit policor Jeton Menxhiqi, i dënuar për korrupsion dhe disa raste të tjera.

Vendimin e KGjK-së po e mbështesin edhe Gjykatat Themelore në gjithë vendin.

Ky veprim i KGJK-së vjen pas vendimit të Qeverisë Kurti për t’i ulur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi të njëjtve iu ishin rritur në vitin 2017 nga Qeveria Haradinaj./IndeksOnline/