75 Mall Live Search
00:01 / E Hënë, 30 Mars 2026 / F.R

Vendimi për ta dërguar FSK-në në Gaza – gabim dhe rrezik

Opinion nga Korab Blakaj

Kosova nuk ka asnjë arsye jetike që ta fusë ushtrinë e saj në një nga konfliktet më të ndërlikuara dhe më të rrezikshme në botë. Duke qenë se Gaza nuk është mision paqeruajtës por një zonë lufte aktive, ku po përballen Hamasi dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, vendimi për të shkuar në atë teatër lufte ku edhe ushtri shumë më të mëdha dhe më të përgatitura e kanë të vështirë të operojnë,është thjeshtë vendim i gabuar!

Shteti yne i vogël, me sfida të hapura brenda territorit tonë,nuk ka nevojë për shpërqendrim.

Sepse ndërkohë që diskutojmë për Gaza-n, në veri të Kosovës sovraniteti sfidohet çdo ditë. Atje ku Kushtetuta kërkon prezencë, vendosmëri dhe qartësi, ne kemi hezitim, kalkulim politik dhe mungesë veprimi. Nuk mund të projektojmë forcë jashtë, kur ende nuk e kemi konsoliduar plotësisht brenda.

A duhët të harrojmë paradoksin; 26 vite pas luftës dhe vazhdojmë të  jemi vet nën protektorat ushtarak!

FSK-ja nuk është krijuar për aventura gjeopolitike.Është krijuar për mbrojtjen e vendit dhe për misione të qarta ndërkombëtare në kuadër të paqes. Dërgimi i saj në një konflikt të hapur, pa një mandat të qartë dhe pa një konsensus të brendshëm, është abuzim me vetë rolin e saj.

Pse ta vendosim ushtrinë  tonë përballë një armiku që nuk njeh rregulla klasike lufte. Forcave si Hamasi dhe IDF nuk u duhet shumë për të krijuar një incident. Një sulm i vetëm ndaj një kontingjenti të vogël të FSK-së do të ishte jo vetëm tragjedi njerëzore, por edhe goditje politike dhe morale për Kosovën.

Dhe për çfarë? Cili është interesi konkret i Kosovës në këtë ndërhyrje? Kush e ka artikuluar qartë? Apo mjafton dëshira e politikanëve tanë tragjikomikë për t’u dukur “në anën e duhur të historisë”, pa e menduar çmimin real?

Ekziston edhe një çështje që nuk mund të anashkalohet: ligji dhe parimet që vetë i kemi vendosur. Kosova ka qenë e kujdesshme për të mos lejuar përfshirjen në luftëra të huaja pa kriter. Dhe kjo ka qenë e drejtë.  Shteti serioz nuk i ekspozon qytetarët e vet ndaj rreziqeve të panevojshme vetëm për kapital politik afatshkurtër.

Kjo nuk është çështje ideologjie. Nuk është as pro-apo kundër Izraelit, as pro-apo kundër palestinezëve. Kjo është çështje përgjegjësie shtetërore.

Një qeveri e pjekur nuk i dërgon ushtarët atje ku nuk ka kontroll mbi terrenin, mbi objektivin dhe mbi përfundimin. Nuk i fut në një konflikt ku dalja është më e paqartë se hyrja.

Kosova nuk ka nevojë të dëshmojë trimëri në Gaza. Ka nevojë të dëshmojë seriozitet në veri. Nuk ka nevojë të rrezikojë jetët e ushtarëve për një rol që nuk e ndryshon fatin e konfliktit. Ka nevojë të ndërtojë forcë të qëndrueshme aty ku është përgjegjëse.

Shtetet gjykohen  nga jetët që mbrojnë.

Dhe detyra e parë e çdo shteti është e thjeshtë: të mos i çojë bijtë e vet në luftëra që nuk janë të tyre.