13:51 / E Hënë, 05 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Vërshimet, Haradinaj i kërkon ministrave propozime për kompensimin e dëmeve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se pas vërshimeve që kanë ndodhur në disa qytete të Kosovës, ka kërkuar nga ministrat që të vinë me propozime konkrete se çka mund të ndërmarrin si Qeveri dhe çka mund edhe të kompensojnë nga dëmet e shkaktuara.

Ai në mbledhje të Qeverisë tha se duan të jenë afër qytetarëve.

“Pas vërshimeve që kanë ndodhë në Kaçanik, në Gorë dhe Deçan kam kërkuar prej disa ministrave të vinë me propozime konkrete se çka do të ndërmarrim ne ose çka mund edhe të kompensojmë nga dëmet e shkaktuar nga vërshimet, pra të jemi me qytetarë”, tha ai.

Lidhur me këtë çështje, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se kanë pastruar të gjitha rrugët që janë në përgjegjësi të ministrisë por ka njoftuar edhe komunat që janë të gatshëm si ministri për të dal në ndihmë.

Kryeministri Haradinaj po ashtu ka kërkuar nga Ministri i Forcës së Sigurisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyra për Çështjen e kategorive të dala nga lufta, të fillojnë përgatitjet për manifestimin “Epopeja e UÇK-së”, që do të zhvillohet në javën e parë të marsit nën patronatin e kryeministrit të Kosovës.

“Epopeja e Prekazit, është një ngjarje që na obligon dhe e kemi për nder si qeveri të bëjmë përgatitjet e duhura, është nën patronatin e kryeministrit, njëkohësit po iu paralajmërojë për përgatitje, unë do t’ia delegojë përgatitjet ministrisë FSK-së dhe ministrit Berisha, do t’i lus për ndihmë, zyrën e kryeministrit, zyrën e kategorive të lirisë dhe njëkohësisht Ministrinë e Kulturës, varësisht nëse ka nevojë ministritë tjera në përkrahje, do të iu përkrahim ministër por që nga sot kuptone që i mbani përgjegjësit për përgatitjen në mënyrë më të ndershme, më të dinjitetshme  Epopenë e Prekazit”, tha ai.

Me kërkesë të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës është aprovuar vendimi për përjashtim nga procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik, blerja e pajisjeve të ndjeshme për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në vijim të mbledhjes kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës që të autorizojë Ministren e Integrimeve Evropiane për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit zhvillimor të asistencës teknike në procesin e integrimeve evropiane.

Është miratuar edhe vendimi për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës që të autorizojë Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Erasmus Plus”, program i Bashkimit Evropian për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë për shpronësimin e pronave të Ndërmarrjes Shoqërore “Sharrprodhimi” që preken nga realizimi i projekteve për ndërtimin e “Qendrës së Komunitetit” dhe ndërtimin “Shtëpisë së Kulturës” në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit; Vendimin preliminar për shpronësimin e pronave që preken nga ndërtimi i rrugës regjionale Deçan-Kozhnjer; Vendimin përfundimtarë për pronat që preken nga ndërtimi i objektit të Stacionit Policorë në Komunën e Zubin Potokut; dhe Vendimin përfundimtarë për shpronësimin e pronave që preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të Menaxhimit të Integruar të Kufirit në Merdarë të komunës së Podujevës.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka aprovuar edhe nismat për nënshkrimin e dy Marrëveshjeve të Grantit në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfË) për financimin e projektit për menaxhimin e mbeturinave të ngurta, dhe për financimin e projektit për shërbime profesionale të pranuesit në kuadër të Programit II të menaxhimit të mbeturinave.