17:25 / E Premte, 02 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Veseli e bashkon PDK-në në Skenderaj, i kthen të përjashtuarit pavarësisht rezistencës së Sami Lushtakut

Kreu i PDK-së Kadri Veseli, sot ka takuar strukturat e partisë në Skenderaj.

Veseli ka bërë bashkë të gjithë, ani pse Sami Lushtaku ka provuar të largojë disa asamblistë, Bekim Haxhiun dhe Nuredin Lushtaku, ku madje dje kishte thënë se vendimin e tij nuk mund t’i ndryshoj askush.

Nënkryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Bekim Haxhiu, të cilin e kishte larguar vet Lushtaku, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është zhvilluar takim me Kadri Veselin, dhe se të gjithë të përjashtuarit, janë kthyer.

“Po, sot jemi takuar me kryetarin Kadri Veseli dhe me strukturat e degës së PDK-së në Skenderaj. Problemet janë tejkaluar dhe të gjithë të larguarit janë kthyer aty ku e kanë pasur vendin”, ka thënë  Haxhiu për Telegrafin.

Ai ka theksuar se strukturat e PDK-së në Skenderaj, janë bashkuar dhe se gjatë takimit me Veselin, ka pasur kosntruktivitet për ecjen tutje, deri në procesin zgjedhor të kësaj dege.

“PDK është në proces zgjedhor, prandaj të gjitha organet janë pa mandat dhe veprimet e fundit kanë qenë të panevojshme dhe të paarsyeshme”, ka thënë Haxhiu.

I pyetur për reagimin e Lushtakut, lidhur me vendimin e Veselit, për t’i kthyer të përjashtuarit, ka thënë se ka pasur progres, por nuk ka folur më gjatë..

Ndryshe, vendimin e Lushtakut për përjashtimin e 7 asamblistëve dhe shkarkimin e deputetit Bekim Haxhiu nga pozita e nënkryetarit të degës së PDK-së e kanë kundërshtuar edhe 80 për qind e nëndegëve dhe seksioneve të kësaj parti në Skenderaj.

Kujtojmë se mosmarrëveshjet e PDK-së në Skenderaj kanë lindur në momentin e kandidimit të Bekim Jasharit për kryetar komune dhe vendimit të PDK-së për tërheqjen r kandidatit të tyre nga kjo garë në shenjë respekti për familjen Jashari, me ç’rast Nuredin Lushtaku dhe Bekim Haxhiu kishin dalë hapur në fushatë përkrah Bekim Jasharit, gjë të cilën nuk e kishte bërë Sami Lushtaku.