17:49 / E Martë, 10 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Veseli nuk tregon në çfarë cilësie u intervistua: Jam korrekt te Zoti dhe njeriu në çdo aspekt!

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli i është përgjigjur sot ftesës së Gjykatës Speciale në Hagë.

Për disa orë radhazi, Veseli është intervistuar nga prokurorët e Dhomave të Specializuara.

Pas këtij intervistimi, Veseli ritheksoi se UÇK pati një luftë të drejtë dhe se luftoi kundër gjenocidit serb.

I pyetur se në çfarë cilësie është intervistuar ai nga prokurorët, Veseli nuk pranoi të tregojë këtë gjë duke thënë se nuk do të interferojë në këtë pikë tani kur po zhvillohet i gjithë ky proces.

“Unë jam një nga njerëzit e parë të UÇK-së, jam ftuar për intervistim i jam përgjigjur intervistimit të Dhomave të Specializuara, kaq do të ishte më korrektja të flasim në një ambient të tillë për faktin se edhe njëherë po e përsëris se lufta e UCK-së ka qenë luftë e popullit të Kosovës për drejtësi, liri dhe pavarësi. I jemi kundërvu gjenocidit serb, krenari është për çdo luftëtarë të UCK-së, por edhe përgjegjësi për ta quar vendin përpara.Jam shumë korrekt te Zoti, te njeriu në çdo aspekt edhe për ditën e sotme”, tha Veseli në Klan, shkruan Indeksonline.

I njëjti shtoi se Serbia do të përgjigjet për krimet që ka kryer në Kosovë, pavarësisht vonesave apo mendimit se do t’i ikë gjithë atyre veprimeve që kanë qenë për gjenocid.

“Kam ndërmarrë një iniciative ka disa muaj edhe pse kam pasur dëshirë të ecte më shpejtë kjo iniciativë. Serbia do të përgjigjet për krimet dhe gjenocidin e kryer mbi popullatën e pafajshme, ajo që duhet të përgjigjet për krimet në Kosovë është pikërisht Serbia. Unë jam personalitet politik dhe çdo folje e imja është interferim në pjesën e drejtësisë që në asnjë rast nuk do ta bëja. Mohimi i krimeve makabre serbe të cilat po i bëjnë politikanët në Serbi janë gabim, për faktin se nuk duhet bërë gara mes kombeve ne vetëm. Duhet të bëjmë gara kundër krimit që në të ardhmen historia të mos përsëritet. Shteti i Kosovës duhet të jetë më i drejtë dhe afër njerëzve që kanë nevojë, por duhet të mbrojë edhe të drejtën e vetë”, shtoi tutje Veseli./Indeksonline/