11:26 / E Premte, 27 Korrik 2018 / indeksADMonline

Veseli për Demaçin: Ai s’kërkoi asgjë, për të liria ishte nderimi më i madh (Video)

(I plotësuar)- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka folur për veprimtarin Adem Demaçi në seancën komemorative të Kuvendit.

Ai ka thënë fjalë të mëdha për të ndjerin, të cilin e quajti të pazëvendësueshëm, raporton Indeksonline.

Më poshtë një pjesë e fjalimit të Veselit:

I gjithë kombi ynë është në pikëllim. Kemi humbur njërin prej njerëzve të mëdhenj që ka dhënë kjo tokë në 100 vjetët e fundit.

Kemi humbur Adem Demaçin, simbolin e gjithë lëvizjes sonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Heroin dhe frymëzimin tonë. Dhimbja është e pafund. Por, po aq e pafund edhe krenaria që e patëm këtë burrë të madh, të rrallë e të jashtëzakonshëm të kombit. Një patriot të pashoq.

Adem Demaçi ishte i pari ndër të parët në luftën e vështirë e plot sakrifica për çlirim kombëtar. Kur pas vitesh terrori, regjimi jugosllav po kremtonte shtypjen e plotë të rezistencës shqiptare, pikërisht në vitet e errëta ‘50 të shekullit të kaluar, ishte Adem Demaçi që ngriti zërin e rezistencës e të kryengritjes për liri. Dhe, nuk u ndal e nuk u dorëzua asnjëherë.

E burgosën, e izoluan, e dënuan, e ri-dënuan, 28 vjet pandërprerë. Por, nuk e thyen. Nuk e bënë për vete.

Adem Demaçi e kishte mposhtur frikën nga pushtuesi dhe me guximin e tij ai e mësoi një popull të tërë ta mposhtë frikën. Këtu nisi liria, sepse një popull që nuk i frikësohet pushtuesit, ai domosdo do ta fitojë lirinë.

Adem Demaçi ishte ndërgjegjja e lëvizjes sonë kombëtare për çlirimin e Kosovës. Disidenti më kokëfortë në gjithë botën komuniste. Mandela i Europës. Disident i kalibrit te Vasllav Havel, e Leh Valesa. Përfaqësuesi më eminent i shqiptarëve të Kosovës në rezistencën europiane kundër tiranisë komuniste. Për këtë,Bota Demokratike e nderoi me Çmimin Saharov. Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë.

Adem Demaçi ishte nderi i kombit dhe i tillë do të mbetet përjetë e mot. Secili nga ne sot ndihet krenar që patëm fatin të jetojmë në epokën e Adem Demaçit. Intelektual e veprimtar politik i nivelit europian.

Ai kurrë nuk kërkoi asgjë për vete. Asgjë. Për të, liria e Kosovës ishte nderimi më i madh. Dhe nëse ka një njeri që me jetën dhe veprën e tij e mishëron më së miri raportin e individit me atdheun, siç shkon ajo thënia e famshme, emblematike – “mos pyet çfarë ka bërë atdheu për ty, por çfarë ke bërë ti për atdheun” – ky njeri është Adem Demaçi. Po. Një pjesë e historisë së Kosovës – është historia e jetës së tij.

Falemnderit për gjithçka bëre për atdheun, gjatë gjithë jetës tënde, Adem Demaçi.

Përherë do të jetosh në zemra tona. Fëmijët tanë do të rriten duke mësuar për ty. Institucionet tona do të frymëzohen nga patriotizmi yt. Kujtimi për ty do të jetojë përgjithmonë, ashtu siç do të jetojë përgjithmonë ajo të cilës ia kushtove gjithë jetën: Liria e Kosovës. /Indeksonline/

…………………………

Nis seanca komemorative për Adem Demaçin

Ka nisur tashmë seanca komemorative e Kuvendit të Kosovës për Adem Demaçin.

Me një minutë heshtje dhe intonimin e dy himneve, të gjithë pjesëmarrësit nderuar veprimtarin e ndjerë, raporton Indeksonline.

Në këtë mbledhje po marrin pjesë të gjithë krerët e shtetit dhe familjarë të Demaçit. /Indeksonline/

Temat:
Mos i humb