13:29 / E Martë, 03 Mars 2020 / indeksADMonline

Veseli për ngushëllime tek familja Kelmendi, kujton kohën e studimeve me Qerimin

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, ka vizituar familjen e ish-pjesëtarit të UÇK-së Qerim Kelmendi, i cili kohë më parë u vra dhe u dogj në veturën e tij, nën rrethana ende të panjohura.

Me këtë rast kreu i partisë më të madhe opozitare ka thurur lavde për veprën e Kelmendit gjatë luftës së fundit në Kosovë, derisa e ka quajtur turp për institucionet vrasjen dhe djegien e trupit të tij.

“Të përfundoj sot i djegur në liri, në tokën e Kosovës, një luftëtar i orëve të para të lirisë, pa adresë përgjegjësie, është turp për institucionet dhe guxim i madh kriminal në shoqëri, i vrasësve që vënë dorë mbi luftëtarët e lirisë”, shkruan Veseli në Facebook.

Postimi i plotë:

Sot për ngushëllime tek familja e Qerim Kelmendit. Qerimin e njoha nga studimet. E njoha si student i Fakultetit të Bujqësisë, nga mesi i fundviteve ’80. Ishte i zhurmshëm, trim, kryengritës.

Gjatë ndryshimeve kushtetuese, Qerimi iu nënshtrua një persekutimi çnjerëzor disamujor të UDB-së jugosllave. Ai nuk u ndal as pas lirimit.

Në vitin 1992, qëndruam një kohë bashkë në Tiranë. Ishim djem të rinj, të ikur, për studime apo për ndonjë armë në Tiranë.

Më vonë, Qerimin, apo “Shpirtmadhin” siç e quanin shokët e Pejës, më rastisi ta shohë më pak personalisht në jetë, por ta takojë shkurt dhe të dëgjoj shumë për të se ishte gjithkund ku kishte nevojë për sakrificë ndaj atdheut!

Kalonte male e kufij për Kosovën. Sa herë e takoja përmendte se i kishte frikë arushat.

Kurrë nuk e kam kuptuar a frikohej vërtet nga arushat në male, apo ishte lloj shakaje?

I tillë ishte Qerimi, për ata që e njihnin!

Në luftë dhe UÇK, ishte me tërë qenien; paslufte u mundua të bëj jetën siç dinte vetëm ai.

Të përfundoj sot i djegur në liri, në tokën e Kosovës, nj ë luftëtar i orëve të para të lirisë, pa adresë përgjegjësie, është turp për institucionet dhe guxim i madh kriminal në shoqëri, i vrasësve që vënë dorë mbi luftëtarët e lirisë!

Qerimit i qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Familjes dhe bashkëluftëtarëve, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë luftëtar të lirisë