20:12 / E Mërkurë, 24 Janar 2018 / indeksADMonline

Vështirësitë e krijimit të Ushtrisë së Kosovës

Shkruan: Fadil Kajtazi

Edhe sikur Kosova të “lundronte” në kushte normale politike, procesi i transformimit të FSK- se në Ushtri do të merrte një kohë e cila do të kërkonte se paku pesë vite. Në radhë të parë, kjo lidhet me kuadrin komandues – nënoficer dhe oficer – për të cilin vendet e NATO-se kanë standarde që i aplikojnë në mënyrë strikte. Kjo ka të bëjë me shkollimin të kuadrit komandues, sipas kritereve të aplikuara në akademitë te tyre.

Në rastin e Kosovës, ky kuadër është në përgatitje e sipër, kadetët e FSK-së po përgatiten sipas standardeve të vendeve të NATO-së në Akademinë tonë dhe po specializohen në akademitë më prestigjioze të vendeve te NATO-se. Ky kuadër i aftësuar tani ka arritur nivelin e gradës major dhe derisa ta zëvendësojë kuadrin e pakualifikuar që ndodhet në FSK – deri në nivelin e gradave të gjeneralit – transformimi i FSK-se në Ushtri nuk do të ndodhë, se paku jo me bekimin e SHBA-ve dhe NATO-s.

Transformimi eventual, në mënyrë të njëanshme, do të komplikonte gjërat dhe një Ushtri pa aleat do të jetë e padobishme për faktin se në radhë të parë ne nuk do të përballonim financiarisht krijimin e një ushtrie e cila do të ishte efektive për të krijuar frenim dhe mbrojtje të agresorit eventual, siç është Serbia.

Nëse ndodhë transformimi i njëanshëm, kërkohet që njëkohësisht të ngriten struktura dhe të bëhet furnizimi me pajisje të Ushtrisë së Kosovës, në mënyrë të shpejtë, ngase çdo veprim pa miratimin e SHBA-ve dhe NATO-së nënkupton ngritje të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, duke u “mbështetur në forcat e veta” – sipas parullës komuniste të Shqipërisë.

Në radhë të parë, SHBA-të nuk do të lejojnë deri në momentin e fundit që të ndodhë degradim i këtyre përmasave. Mirëpo, situata politike në nivel global, ku probabiliteti për përdorimin e armatimit bërthamor është rritur më shumë se gjatë Luftës së Ftohtë (konflikti SHBA-Kore e Veriut), politika agresive ruse drejt vendeve të Ballkanit dhe programi bërthamor iranian shtojnë gjasat që SHBA-të të lodhen më problemet e mëdha që po i bën Kosova e vogël dhe interesimi i SHBA për Kosovën të venitet.

Jam i sigurt se në Kosovë ka forca politike të cilat e duan vendin dhe nuk do të lejojnë që gjërat të arrijnë deri në ketë nivel, por për ata që po tentojnë t’i degradojnë marrëdhëniet me NATO-n dhe SHBA-t[, duhet të dinë se kjo është një sfidë e papërballueshme.

Faktori i parë që Ushtrinë e Kosovës e bën të padobishme, pa mundësi të krijimit të kapaciteteve të mjaftueshme frenuese dhe mbrojtëse, nëse ajo formohet njëanshëm, është ai financiar. Për t’i ndenjur karshi agresionit eventual serb njëanshëm, pa aleatë që sot i kemi, duhet që së pari të krijohet ekuivalenca në forca. Sa për krahasim: Serbia posedon kapacitete të artilerisë klasike me larghedhje deri ne 32 kilometra (obusi i sistemit NORA-A (M84 dhe Nora B-52 në kal. 155) dhe detyrimisht ne do të jemi të obliguar që të kemi ekuivalentin e tij dhe të formojmë se paku katër regjimente të këtij niveli – tre aktivë dhe një në rezervë nëse merren parasysh tri drejtimet mësymëse serbe (siç ata i kanë ndarë, Ibarski, Merdarski dhe Moravski). Një bateri e regjimentit minimum duhet të ketë katër gryka dhe një regjiment – së paku tre bateri që bëjnë 12 gryka, që ne total i bie për katër regjimente me 48 gryka.

Në rast të transformimit të koordinuar me SHBA-të dhe NATO-n dhe duke e marrë për bazë dekretin e presidentit Bush për lejimin e blerjes së armatimit për Kosovën në SHBA, ne do te furnizoheshim me obusin amerikan M-777, i cili përafërsisht për një gryke kushton mbi gjashtë milionë euro. Një ftohje e marrëdhënieve me vendet e NATO-s nënkupton se Kosova automatikisht përjashtohet nga lista e blerjes se sistemeve në këto vende dhe në vend se këto t’i marrim me kredi dhe donacion, duhet të orientohemi në vendet e treta dhe atë me kushtin qe ato na e shesin.

Në rastin e tillë, hipotetikisht, duhet të marrim sistemin Izraelit ATMOS-2000, i cili gjithashtu kushton mbi gjashtë milionë. Pastaj, me shpejtësi duhet të formohen edhe katër regjimente të mbrojtjes kundërajrore që përpos sistemeve të raketave duhet të posedojnë edhe regjimentet e sistemit elektronik për vëzhgim, identifikim dhe lajmërim ajror, i cili gjithashtu është i shtrenjtë.

Ne anën tjetër, në mënyrë të shpejt duhet të formohen katër brigada të forcave tokësore, tri prej të cilave do të jenë të gatshme për ta përballuar mësymjen e forcave serbe në tri drejtime dhe njëra në rezervë. Këto brigada gjithashtu në mënyrë të përshpejtuar, përpos armatimit personal, duhet të pajisen me armatim shtesë nga niveli i togës: për çdo togë një grykë mobile kundërblinduese; për çdo kompani një togë e artilerisë me mortaja 80 mm.; dhe një toge e mbrojtjes kundërblinduese me sisteme reaktore vetëdirigjuese apo të dirigjuara. Gjithashtu, në kuadër të çdo batalioni duhet një bateri e mortajave 120 mm., dhe se paku nga 3-6 gryka mobile të raketave vetëdirigjuese me infra të kuqe për të neutralizuar aviacionin dhe helikopterët në fushëbetejë. Të gjitha këto, me rezerva municioni për 15 dite luftimi, nuk i përmbyllin dy buxhete të Kosovës.

Siç po shihet, politikat aventuriere të kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe kryetarit të Kosovës, kanë humbur besimin te partneret perëndimorë dhe kanë filluar ta izolojnë vendin. Ne ketë atmosferë izolacioniste të lidershipit kosovar, vështirë se mund të ndodhë një bekim për transformimin e FSK-së. Për momentin, FSK, ashtu siç është e strukturuar dhe vetëm me një ushtarë të SHBA-ve në Bonstill, i ofron mbrojtje Kosovës me shumë se sa me një Ushtri siç po pretendon të krijojë lidershipi aktual kosovar.