17:59 / E Enjte, 30 Korrik 2020 / indeksADMonline

Vështrim mbi mundësinë e tërheqjes së 10 për qind të kursimeve pensionale nga qytetarët

Mundësia e paraparë e tërheqjes së mjeteve të kursimeve nga fondi pensional për rimëkëmbje ekonomike nga ana e qytetarëve, vështruar nga këndi i teorive të mendimit Keynesian, do të ndikojë në rritjen e masës monetare dhe kërkesës agregate.

Megjithatë, në mungesë të informimit të duhur të opinionit të gjerë, janë krijuar dilema të panevojshme. Në draft ligjin e propozuar për ndryshim-plotësim, theksohet që janë paraparë të tërhiqen 10 për qind e mjeteve të grumbulluara nga kursimet individuale e pensionale, nga secili kontribut pagues, po ashtu të njëjtat nuk do të tatohen me rastin e tërheqjes dhe kanë afat kufizues brenda tre muajsh.

Nëse shikohet në shumë të përgjithshme të kursimeve pensionale, është planifikuar se nga kursimet pensionale mund të tërhiqen rreth 170 milon euro.

Nga tërheqja e këtyre mjeteve, efektet multiplikuese nuk pritet të jenë të larta në ekonominë e vendit për këto arsye:

* Shuma më e madhe e koncentrimit te këtyre mjeteve është tek një numër i vogël i kontribut paguesve.

* Tërheqja e tyre nuk ka një shtrirje me bazë të gjerë tek qytetarët, sidomos te kategoritë që kanë më së tepërmi nevojë.

* Nuk orientohen tek kategoritë që nuk kanë qenë asnjëherë në punë apo që u janë shkelur të drejtat e punëtorëve dhe nuk iu kanë paguar kontributet pensionale.

* Një kategori tjetër është ajo e kontributeve të deklaruara e të papaguara nga punëdhënësit, e që prej tyre janë numër i konsiderushëm i qytetarëve. * Si shtet kemi një ekonomi konsumi që kryesisht varemi nga importi dhe nëse këto mjete do të përdoren për produkte importi, efeketi në ekonominë e vendit do të jetë minimal; përkundrazi do të ulet vlera e parasë dhe efekti multiplikues i saj.

Nga ana e Qeverisë në këtë rast, duhet të kalkulohet përtej tërheqjes se këtyre mjeteve, në mënyrë që të arrihet të paktën qëllimi për çka po tërhiqen ato mjete. Kjo masë duhet të orientohet në shpenzimin për konsumin e prodhimeve vendore, që të arrihet efekti më i lartë multiplikues. Ky draft ligj sqaron edhe më tepër kushtet dhe mundësitë e tërheqjes: nuk ështê obligativ, d.m.th. është në vullnetin e secilit që në mënyrë individuale të vendos se a dëshiron apo jo t’i tërheq 10% nga kursimet e tij pensionale.

Nga pikëpamjet e përkrahësve të teorisë Keynesiane “ndryshimet në kërkesën agregate në një periudhë afatshkurtër zgjat mjaftueshëm për prodhim real dhe punësim, ata shpesh përdorin citimin e famshëm te Keynesit për të mbështetur këtë pikë: „Në një periudhë afatgjate ne të gjithë do të jemi të vdekur!”. Kështu, secili që ka mjete të grumbulluara nga kursimet e tij pensionale, le të vendos sipas nevojës dhe mundësisë.

Shkruar nga Prof. Ass. Bashkim Mustafa, Dr, i Ekonomisë.