22:50 / E Mërkurë, 15 Gusht 2018 / indeksADMonline

Veteranët e zhgënjyer nga dorëheqja e prokurorit Blakaj

Prokurori i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj tash e sa kohë po merrej me verifikimin e listave të veteranëve të UÇK-së.

Por dorëheqja e tij ka nxitur shumë reagime, kjo me faktin se për të njëjtin thuhet se ka pranuar kërcënime të shumta derisa po zbardhte dyshime për listat e fryra të veteranëve.

Hysni Gucati nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së, thotë se është befasuar nga dorëheqja e prokurorit. Ai thotë se kishte raporte të mira me të dhe se çdo lloj dokumenti që u kishte kërkuar ua kishin sjellë.

“Nuk më ka ardhur mirë që ka dhënë dorëheqje, ai është deshtë me u tregu i guximshëm me e mbrojt punën e tij. Nuk po di sigurt pse ka dhënë dorëheqje ai, ende ka pshtjellime. Ai ka qenë duke i hetuar listat. Unë kam qenë vetë në intervista tek ai, kemi pas raporte shumë të mira- shoqërore. Çdo gjë që ka kërkuar ai prej dokumenteve ne i kemi dërguar. Ne nuk po e dimë saktë se kush iu ka kërcënuar atij.”, ka thënë Gucati në një prononcim për Indeksonline.

Gucati kërkon që rasti i dorëheqjes së Blakajt të hetohet dhe kushdo që ka kryer kërcënime të dënohet. “

Unë shpresojë që të vijë dikush i duhur në vendin tij. Po kushdo që ka bërë kërcënim është dobësi edhe shteti duhet të tregojë fuqitë dhe funksionin e tij, ta qojë rastin deri në fund. Dhashtë zoti që të vij dikush në vendin e tij, dikush që e meriton dhe ta vazhdojë punën e tij pasi që këto lista janë stërzgjatë dhe duhet drejtësi dhe njëherë e përgjithmonë të zbardhen rastet dhe të pastrohen listat e veteranëve”, ka theksuar tutje ai.

Nga ana tjetër edhe Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, thotë se nëse prokurori Blakaj është kërcënuar dhe si rezultat i kësaj ka dhënë dorëheqje, atëherë kjo i bie dorëzim i Prokurorisë së Shtetit.

“Me sa e kam kuptuar z.Blakaj, kishte dhënë dorëheqje për arsye se ka qenë i kërcënuar, nëse kjo është e vërtet se ka qenë i kërcënuar dhe kjo ka qenë arsyeja e dorëheqjes së tij, atëherë ky është një lajm shqetësues sepse ky është dorëzim i Prokurorisë të Shtetit, para atyre që e kanë shkelur ligjin”, ka thënë Qeriqi në një prononcim për Indeksonline.

Sipas tij, fakti që ky prokuror ka dhënë dorëheqje tregon qartë se kemi të bëjmë me një institucion të brishtë të drejtësisë.

“Ne kemi qenë të shqetësuar me fryrjen e madhe të listave të veteranëve të UÇK-së dhe kemi reaguar ndaj fryrjeve të këtyre listave. Ka qenë një lajm i gëzueshëm kur kemi kuptuar që Prokuroria e Shtetit, në këtë rast hetuesit e krimeve ekonomike kanë filluar që ta hetojnë këtë proces, kemi menduar dhe besuar se më në fund ky proces do të hetohet dhe keqpërdoruesit e mundshëm në këtë rast të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Fakti që sot ky prokuror ka dhënë dorëheqje tregon qartë se kemi të bëjmë me një institucion të brishtë të drejtësisë, i cili po tregohet i pafuqishëm për t’i luftuar dukuritë negative në këtë vend”, ka theksuar ai.

Ndryshe, kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi në qershor të vitit 2016, kishte kërkuar nisjen e hetimeve për verifikimin e listave të veteranëve të UÇK-së, kjo pasi që kishte dyshime të mëdha për keqpërdorime të shumta./Indeksonline/