12:13 / E Martë, 29 Maj 2018 / indeksADMonline

Veterniku pa rrymë, KEDS akuzon ministrinë, ministria KEDS-in

Kablloja nëntokësore e energjisë elektrike është dëmtuar sot në rrugën Prishtinë-Gjilan, saktësisht në Veternik.

KEDS ka akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës se për të dytën herë gjatë punimeve kanë prishur kabllon duke lënë kështu shumë biznese pa energji elektrike në Veteternik.

Indeksonline ka kontaktuar zëvëndësministrin e Infrastrukturës, Rexhep Kadriu.

Kadriu me këtë rast ka sqaruar se problemi ka qëndruar pikërisht te KEDS, të cilët nuk kanë informuar si duhet MI-në lidhur me vendin e kabllos.

“Në ora 10:00 është dëmtuar kabllo elektrike  e cila furnizon atë pjesë të qytetit dhe bizneset por kjo ka ndodhur për arsye se KEDS nuk ka dhënë informacionet e duhura se ku gjendet kablloja. Në bazë të informacioneve që janë dhënë dje nga KEDS, thuhej se thellësia e kabllos është mbi 1 metër e 20 centimetra kurse Operatori Ekonomik momentin kur ka filluar gërmimin kablloja ka dalë të jetë në thellësi rreth 60 centimetra, ku edhe ka ndodhur këputja e kabllos”, ka thënë Kadriu.

Kadriu gjithashtu ka shtuar se ekipet e KEDS tashmë janë duke e sanuar gjendjen dhe në bazë të informatave nga tereni sanimi do të kryhet  në ora 12:30.

Ndryshe në një njoftim të dërguar nga KEDS thuhej se prishja është e komplikuar dhe duhen disa orë deri në sanimin e saj./Indeksonline/