13:53 / E Premte, 05 Mars 2021 / OSH

Vetëvendosje e rrethon me shirita Komunën e Pejës: Zonë e kontaminuar nga korrupsioni

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një aksion para Komunës së Pejës ku e ka rrethuar me shirita objektin e komunës.

Në këtë mënyrë nga LVV-ja kanë thënë se e kanë shpallur këtë komunë zonë të kontaminuar nga korrupsioni.

Kryetarin e kësaj komune, Gazmend Muhaxheri e kanë quajtur kokë të lidhjes së korrupsionit.

“Sot, gjendemi para objektit komunal të Pejës, vend i cili gjatë këtyre dy mandateve ka shërbyer si strehë ku bëhen pazare nga zyrtaret komunalë, e ku keqpërdoret paraja publike! Të gjithë jemi të vetëdijshem rreth ngjarjeve qe kane ndodhur se fundmi ne komunën tonë, ndaj ne sot nuk mund të qëndrojmë të heshtur. Vendimi i Gjykatës së Pejës ku shpalli fajtor shefin e kabinetit dhe zyrës se kryetarit të Komunës së Pejës, e po ashtu edhe disa zyrtareve të tjerë, tregon me se miri realitetin mbi qeverisjen skandaloze të kryetarit në ikje, Gazmend Muhaxheri”.

“Ne si Lëvizje VETEVENDOSJE, në vazhdimësi kemi reaguar për keqpërdorimet e Gazmend Muhaxherit dhe tashmë edhe gjykata po e vërteton këtë. Është koha që qytetarët e Pejës ta njohin mirë njeriun që i ka udhëhequr gjatë 8 vjetëve të fundit, e i cili fshihet pas gjitha këtyre skandaleve. Regjisor i ketij teatri të komplikuar të korrupsionit, keqpërdorimit, punësimeve partiake dhe nepotike është Gazmend Muhaxheri. Sot, ne si Lëvizje VETËVENDOSJE kërkojme nga Gazmend Muhaxheri të bartë përgjegjësi të plotë për këto ndodhi, e për shumë të tjera qe janë në proces gjyqësor”, thuhet në këtë komunikatë.

“Qytetaret e Pejës e kanë dhënë mesazhin e tyre në zgjedhjet e 14 shkurtit. Kryetari, i cili e cilësonte veten si të paprekshem, dita-ditës po shpërfaqet. Qyteti i Pejës nuk është pronë as e Gazmend Muhaxherit e po ashtu e asnjë individi tjetër! Qytetaret e Pejës e meritojnë më të mirën, andaj kjo qeverisje do të marrë fund në zgjedhjet lokale të këtij viti, bashkë me kryetarin, i cili është i zhytur në korrupsion, nepotizëm, privatizim të pronave publike dhe abuzim të parasë publike! Komuna e Pejës ka nevojë për ndryshim, andaj referendumi po afron”, ka thënë Vetëvendosje.