16:50 / E Hënë, 27 Gusht 2018 / indeksADMonline

Vetëvendosje kërkon lirimin e të akuzuarit për terrorizëm

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të lirohet nga paraburgimi Sadri Ramabaja.

Sipas tyre, ndaj është është ngritur aktakuzë dhe vazhdon të mbahet në paraburgim pa fakte e prova, por vetëm mbi supozime e trillime.

Komunikata e plotë:

Të lirohet nga paraburgimi Sadri Ramabaja

Në një kohë kur vetë sistemi i drejtësisë po flet për krizën në të cilën ndodhet nga ndërhyrjet politike të pushtetit dhe jo vetëm, sot bëhen gjashtë muaj nga kur veprimtarit politik dhe profesorit, Sadri Ramabaja i është ngritur aktakuzë dhe vazhdon të mbahet në paraburgim pa fakte e prova, por vetëm mbi supozime e trillime.

Pikërisht se nuk ka prova ndaj Sadri Ramabajës, paraburgimi i tij po zgjatet duke zëvendësuar dënimin. Mbajtja e Sadri Ramabajës në paraburgim duhet të marrë fund. Ai ishte asambleist i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe është ligjërues fakulteti. Burgimi i padrejtë e ndan nga aktiviteti, ligjëratat dhe studentët e tij.

Sadri Ramabaja që në fillimet e veprimtarisë së tij ka shkruar gjithnjë duke pasur për qëllim atdhedashurinë. Puna e tij reflekton angazhim të pastër për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Për të njëjtat bindje që u arrestua dekada më parë nga regjimi serb, e me të njëjtat akuza të rrejshme, ai po mbahet i arrestuar edhe sot, por këtë herë nga shteti për të cilin ai veproi gjithë jetën.

Duhet të ndalen arrestimet dhe mbajtjet e padrejta nëpër burgje të Kosovës, arrestime me prapavijë politike. Nuk duhen përsëritur veprimet e regjimeve të mëhershme, por duhen mbrojtur interesat e qytetarit, e të lartësohen mundi dhe veprimtaria e gjeneratës së Ukshin Hotit.

Gjyqësia e kontrolluar nga politika, ku kryeprokurori i përgjithshëm diskuton jozyrtarisht aktakuzën me Kryetarin e Kuvendit, e Kryeministri i përcakton afate për hetime dhe obligon prokurorin që të dorëzoj raport në Qeveri, ndërsa politikanë të akuzuar për krim të organizuar në rastin “Toka” lirohen, nuk është gjyqësi e pavarur por gjueti ndaj të pafajshmëve e oponetëve, kurse mundësi për të korruptuarit e kriminelet me lidhje në pushtet.

Andaj, kërkojmë lirimin nga mbajtja peng padrejtësisht të veprimtarit dhe profesorit Sadri Ramabaja nga një sistem i kapur nga pushteti e i diskretituar tashmë edhe nga brenda.

Lëvizja VETËVENDOSJE!,
27 gusht 2018