19:23 / E Mërkurë, 03 Tetor 2018 / indeksADMonline

“Vetëvendosje na e ndaloi që të flisnim për bashkimin e Luginës me Kosovën”

Sekretari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, duke folur për idenë e presidentit, Hashim Thaçi, për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, ka treguar se si subjekt vite më parë iu është ndaluar që të flasin për këtë temë në fushatën zgjedhore.

“Në momentet që kemi qenë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, fushata ka zgjatur tre muaj dhe ne e kemi pasur të ndaluar nga Albin Kurti që të flisnin për bashkimin e Luginës me Kosovën”, ka thënë Klinaku duke iu referuar koalicionit që kanë pasur në zgjedhjet e vitit 2010.

“Sepse ata kanë qenë atëherë kundër kësaj ideje. E kemi pasë të ndaluar gjatë asaj fushate të flasim për reciprocitetin. Kandidati ynë Ka qenë duke folur në një fshat në Mitrovicë, dhe më ka telefonuar Dardan Molliqaj dhe më ka thënë se Raif Çela është duke folur për reciprocitetin dhe duhet ta ndaloni”, është shprehur Klinaku në Info Magazine.

Sipas Klinakut, Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë kundër për procesin e bisedimeve me Serbinë, por këtë kundërshti sipas tij e kanë pasur me qëllim më të madh për rrëzimin e Thaçit.