12:27 / E Enjte, 13 Dhjetor 2018

“Veturat e KFOR-it në veri, pjesë e ushtrimeve”

Zëdhënësi i KFOR-it, Vicenza Grazo, tha se lëvizja e pajisjeve dhe pjesëtarëve të KFOR-it në veri është pjesë e ushtrimeve të rregullta.

“Ka edhe konvoje tjera, të cilat po lëvizin edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Në pajtim me Rezolutën 1244, trupat e KFOR-it e trajnojnë gatishmërinë e tyre për t’u vendosur shpejt në të gjithë Kosovën”, tha Grazo për mediat serbe.

Rreth 50 automjete të KFOR-it janë nisur sot paradite nga komanda qendrore në Prishtinë, në drejtim të pikës kufitare Jarinje, ndërsa vërehen edhe helikopterë të paqeruajtësve të cilët po vëzhgojnë situatën nga ajri në atë pjesë.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se përveç automjeteve të tyre, ushtarët e KFOR-it janë duke bartur me vete edhe pajisje që shërbejnë për bllokadë të rrugëve në rast nevoje, duke përfshirë këtu makineri të rëndë ndërtimore, gjemborë dhe të ngjashme.

Lëvizjet e KFOR-it vijnë një ditë para se të votohet për formimin e Forcave të Armatosura në Parlamentin e Kosovës.