12:13 / E Enjte, 08 Gusht 2019 / indeksADMonline

Vidhen sërish të dhënat e përdoruesve në Instagram

Instagrami, që është në pronësi të Facebook, i dërgoi së fundmi një letër paralajmërimi kompanisë partnere të marketingut Hyp3r, me bazë në San Francisko, fill sapo u zbulua se grumbullonte të dhënat e përdorueve në mënyrë të parregullt.

Siç u raportua nga Business Insider, Hyp3r përdorte mjete të ndryshme për të mbledhur të dhënat publike nga Instagrami, duke përfshirë këtu postimet, informacionet e profileve dhe vendodhjet e përdoruesve. Këto të dhëna shiteshin më pas te klientët e Hyp3r për të synuar reklama.

Ndër të tjera, Hyp3r mblodhi të dhënga nga Insta Stories, të cilat zhduken pas 24 orëve dhe nuk janë të aksesueshme përmes mjeteve që Instagram i vë në dispozicion të palëve të treta.

“Veprimet e Hyp3r shkelin politikat tona,” tha një zëdhënës i Instagramit për CNBC, ndërkohë që Hyp3r theksoi se nuk kanë thyer asnjë rregull, shkruan anabel. Në letrën e dërguar nga Instagrami drejt kompanisë së marketingut, theksohet se nëse nuk merren masat e duhura, kompania do të paditet.