23:37 / E Enjte, 18 Prill 2024 / Gj. Sh

Vinicius: Real Madrid-i gjithmonë ringjallet kur duket “i vdekur”, tani duam finalen!

Sulmuesi i Real Madrid, Vinicius Junior foli për mediet pas suksesit ndaj Manchester City-t në çerekfinalet e Champions League.

Ai theksoi se është shumë e vështirë të fitosh kundër Manchester City-t, ndërsa shtoi se ky kompeticion nuk ka favoritë.

“Kundër City-t është gjithmonë shumë e vështirë, por kemi punuar për të sjellë Real Madrid-in në majë. Ky kompeticion është i veçantë, Champions League nuk ka favoritë”-tha fillimisht braziliani.

Më tej ai shtoi se “Los Blancos” gjithmonë kthehen më të fortë kur duken sikur nuk kanë më shpresë.

“Bëra gjithçka për të ndihmuar. Unë jam duke u përmirësuar dhe në të ardhmen do të jem në gjendje të luaj kudo që të dua, jam shumë i lumtur që do të vazhdoj të ndërtoj historinë time në këtë skuadër. Real Madrid gjithmonë ringjallet dhe kthehet më i fortë kur duket se ka vdekur. Tani kemi vetëm një qëllim, finalen e Champions League”-deklaroi Vinicius.