18:47 / E Mërkurë, 29 Qershor 2022 / LB

Viti 2016/ Hekuran Murati: Kosova më mirë të angazhonte mercenarë, veteranët po na kushtojnë shumë

hekuran murati

Ministrit të Financave, Hekuran Murati, kishte shkruar më 2016 se Kosovës po i kushtojnë më shumë veteranët se sa do i kishin kushtuar disa mercenarë.

Ai, derisa kishte kalkuluar shifrat e pensioneve për veteranët e luftës, kishte shkruar se “këta tre muaj lufte të një ushtrie guerile donë me na dalë shumë më shtrenjtë se një ushtri e rregullt”.

Madje, shkruan ai, “edhe mercenar me pas angazhu na kish dalë më lirë”.

“Tre muaj nga dy mijë euro bëjnë gjashtë mijë euro për kokë – 20 mijë mercenarë të përgatitun ushtarakisht kishin me na kushtu veç 120 milionë euro gjithsejtë. Edhe as faleminderit s’kish pas nevojë me iu thanë”, shkruante atëherë Murati.

Ai, përkundër se në opozitë, hallin e kishte te pagesat e shumta që shteti po duhet t’ua bëjë veteranëve si pension për kontributin në luftë.

“Përderisa pagesa për veteranët po do me kalu 100 milionë euro në vit, për vitin 2016 buxheti për FSK është veç 45 milionë. Për vitin 2017 dhe 2018 shkon t’u ra madje, 44.8 milionë dhe 44.6 përkatësisht”.

Murati tani është ministër i Financave dhe njëri nga më të zëshmit që pensionet për veteranët nuk duhet të përfshihen në ligjin për pagën minimale.

Aktualisht veteranët marrin 170 euro, derisa paga minimale pritet të arrijë në 250 euro.