16:36 / E Premte, 29 Shtator 2023 / MSH

Vitia: Synojmë të përmirësojmë edhe më tutje kushtet e punonjësve shëndetësorë

Sot, Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia mori pjesë në tryezën e organizuar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës (FSShK) në bashkëpunim me Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), ku u diskutua lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, përkatësisht në sektorin e shëndetësisë.

Në këtë tryezë u diskutua me qëllim të sigurimit të kushteve sa më të mira për punonjësit shëndetësor.

“Si Ministër i Shëndetësisë mbetëm i përkushtuar që të hapim dialogun social për kontratën kolektive ku do të adresohen kërkesat e veçanta për infermierë dhe për punonjësit shëndetësorë në administratë.  Siç jeni të njoftuar, është formuar edhe grupi punues i përbërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ku janë diskutuar modalitetet lidhur me dialogun social, nevojat dhe kërkesat e stafit

shëndetësor. Të gjitha këto kërkesa janë trajtuar me seriozitet të lartë dhe i kemi adresuar që të inkorperohen në kuadër të ligjit për pagat”, tha ministri Vitia.

Ai tha se aktualisht profesionistët shëndetësor kanë pagat më të larta në rajon, ndërsa theksoi se ky është një proces më kompleks ngaqë bëhet fjalë për trajtimin e kushteve të punës për mbi 80 mijë zyrtarë publikë. Aktualisht është duke u bërë dakordimi dhe definimi i të gjitha shtesave, së bashku me kompetencat dhe përgjegjësitë të cilat parashihen me

ligj. Ai njoftoi të pranishmit se Ministria e Shëndetësisë ka adresuar kërkesat në përputhje me mundësitë buxhetore.

“Në kuadër të reformave të politikave sociale, si Qeveri mbetemi të përkushtuar për një sistem i cili shpërndan resurset për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë. Për një shtet që siguron mirëqenien, krijon drejtësinë, barazinë dhe lirinë për të gjithë”, tha në fund të këtij takimi ministri Vitia.