08:57 / E Mërkurë, 28 Shtator 2022 / shkelqim osmanaj

Vizat në top agjendën e BE’së, kryediplomati çek këtë javë në Kosovë

Vizat në top agjendën e BE’së, kryediplomati çek këtë javë në Kosovë

Presidenca çeke e BE-së do ta rihapë diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën këtë vjeshtë, ka konfirmuar ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavský, i cili tha se do të vijë këtë javë në Prishtinë, përcjell Gazeta Express.

Kjo temë duhet të diskutohet këtë vjeshtë sapo Komisioni Europian ta finalizojë versionin e përditësuar të raportit të tij për gatishmërinë e Kosovës për heqjen e vizave, raporton Euractiv.

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë Europën që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet që prej disa vitesh. ‘Zbrapsja’ thuhet se vjen nga Franca, por edhe një pjesë e vogël e vendeve që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë Greqinë, Rumaninë, Spanjën, Qipron dhe Sllovakinë.

“Kosova, të cilën do ta vizitoj këtë javë, është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në BE. Megjithatë, qëllimi i Republikës Çeke dhe BE-së është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Presidenca jonë është një mundësi për ta shtyrë të gjithë procesin e integrimit përpara”, tha Lipavský, cituar nga Agjencia Çeke e Lajmeve.

Pritet që kjo temë të jetë në tryezë në vjeshtë sapo Komisioni Europian ta finalizojë versionin e përditësuar të raportit të tij për gatishmërinë e Kosovës.

“Prandaj, Presidenca Çeke po mbështet në faktin se nëse i ashtuquajturi përditësim teknik i raportit për gatishmërinë e Kosovës për liberalizimin e vizave, të cilin Komisioni Europian aktualisht është duke e finalizuar, është i suksesshëm, kjo çështje do të merret sërish nga shtetet anëtare gjatë vjeshtës”, shpjegoi ministri çek.