11:19 / E Premte, 06 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Vjedhin gjëra me vlerë në zyret e Asociacionit të Gazetarëve

Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës u janë thyer zyret e organizatës të cilat gjenden në lokalet e Ndërmarrjes Publike Banesore në rrugën “Perandori Justinian” në Prishtinë.

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina ka konfirmuar për KosovaPress, se nga zyrat janë vjedhur gjëra me vlerë si një aparat fotografik, një televizor, një laptop dhe mbushje të telefonit.

“E kanë hapur cilindrin e derës dhe kanë marrë gjerë ma vlerë, një televizor, një aparat fotografik, një laptop dhe mbushje të telefonit. Ato gjëra janë blerë nga puna vullnetare”, ka thënë Begolli-Pustina.

Pas kësaj ndodhie, përmes një reagimi për media, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se e kanë njoftuar Policinë e Kosovës të cilët kanë dalur menjëherë në vendin e ngjarjes, bashkë me ekipin e Forenzikës për t’i bërë hetimet e nevojshme.

“AGK është jashtëzakonisht e shqetësuar me këtë situatë dhe dënon ashpër këtë akt. Duke pas parasysh faktin që përball zyrës së AGK-së është Katedralja “Nënë Tereza”, si dhe lokalet tjera, të cilat kanë kamera përreth, AGK fton Policinë e Kosovës që të angazhohet maksimalisht në gjetjen e kryerësve të kësaj vepre penale. Pavarësisht kësaj situate AGK mbetet e përkushtuar që ta kryejë misionin e saj e që është mbrojtja e punëtorëve medial dhe avokimi për të drejtat e tyre”, thuhet në njoftimin e AGK-së./Indeksonline/