18:31 / E Hënë, 15 Nëntor 2021 / AR

Vjen në Kosovë drejtori i spitalit në Slavonski Brod, pas aksidentit tragjik në Kroaci ku vdiqën 10 kosovarë

U. d. Ministrja e Shëndetësisë, Dr. Dafina Gexha Bunjaku ka pritur sot në takim Drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Josip Benčević” të Slavonski Brod, Dr. Josip Samardžić, të cilit i shprehu mirënjohjet më të larta për reagimin e shpejtë të shërbimeve emergjente, profesionalizimin e shquar të profesionistëve shëndetësor të këtij spitali dhe humanizmin e dedikimin e popullit dhe qeverisë kroate në aksidentin tragjik afër Slavonski Brod të Kroacisë, ku 10 qytetarë të Republikës së Kosovës humbën jetën ndërkaq  26 të tjerë u lënduan.

Ky angazhim i jashtëzakonshëm dëshmoi edhe njëherë miqësinë e veçantë dhe vëllazërore mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.

Ndërkaq u bisedua dhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe thellimit të kontakteve mes institucioneve shëndetësore, kështu shkëmbimin e përvojave dhe shërbimeve në mbështetje të sistemit shëndetësor të Republikës së Kosovës.